Qeveria në detyrë e Kosovës e ka miratuar të premten rritjen e pagës minimale, e cila do të arrijë në 500 euro deri në korrik të vitit 2026.
Paga minimale, e cila është 350 euro, do të rritet në dy faza, fillimisht në 425 euro në janar, ndërsa në korrik do të bëhet 500 euro në muaj për të gjithë punëtorët me orar të plotë.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha në mbledhjen e Qeverisë në detyrë se kjo rritje vjen pas “analizave që kemi bërë sa i përket ndikimit që mund të ketë edhe në sektorin privat, te ndërmarrjet, por edhe te punonjësit”.
Kjo rritje prek rreth 150.000 të punësuar në sektorin privat, sipas Muratit.
“Pas diskutimeve që kemi pasur dhe propozimeve dhe sugjerimeve që kemi marrë nga përfaqësues të sindikatave dhe bizneseve, propozimi ynë është që paga minimale për vitin e ardhshëm të bëhet 500 euro, apo konkretisht 3 euro për orë pune”, shtoi ai.
Deri në fuqizimin e Ligjit të ri në vitin 2023, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.
Ajo u rrit në 350 euro në verën e vitit 350.
Kosova, deri më tani e ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, 350 euro, ndërsa Luksemburgu më të lartën, 2.571 euro./REL
 
								 
															




 
                                 
                                 
                                