Në vitin 2022, dhjetëra studentë të regjistruar në Fakultetin e Shkencave të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, u futën në degën Arsim Fillor me ëndrrën për t’u bërë mësues. Ata përfunduan Bachelorin dhe u regjistruan edhe në Masterin profesional për mësuesi. Por pas disa javësh, u njoftuan papritur, se nuk mund të vazhdonin studimet, sepse mesatarja e tyre e gjimnazit ishte nën 7.5, një kriter i vendosur me VKM në vitin 2020.Edhe pse në vitin e pranimit universiteti i kishte regjistruar normalisht, duke i pranuar edhe me mesatare më të ulët, tani studentëve u kërkohet të çregjistrohen nga Masteri. Në komisionin e pranimeve, kryetarja e komisionit pranon, se i ka shpallur fitues duke u bazuar në mesataren e Bachelorit, por ua vë fajin studentëve duke pretenduar, se ata e kanë ditur rregullin.Teksa studentja proteston, se askush nuk i informoi, kryetarja i përgjigjet duke thënë, se “kjo është shpulla e parë që merr në jetë.”Në takimin me dekanen, kjo e fundit shpjegon, se situata ka ardhur nga një udhëzim i ministrisë, jo i universitetit. Ajo thotë, se në sistem, studentëve, që në fillim u është shfaqur shenjë paralajmëruese, por pranon, se “janë mbyllur sytë”. Dekania thotë, se do t’i dërgohet një shkresë Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë, ekspertja e arsimit Nora Malaj thekson, se është absurde, që studentët janë futur ligjërisht në Bachelor edhe me mesatare nën 7.5, por nuk lejohen të bëjnë Master e as të dalin në treg si mësues.




