Kjo e premte 5 maji shënon një datë të rëndësishme historike për shqiptarët, pasi përkujtohen Dëshmorët e Kombit.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisen përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave.
Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”.
Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit.
Ndërkohë, më 24 prill të vitit 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 për “Statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike dhe të rënët në vitet 1997-1999, në Luftën Çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.