“4000 euro për kokë”, të miturit kamuflohen si pjesë e ekipit sportiv për të kaluar ilegalisht në Itali

10 të arrestuar në Portin e Durrësit, u paguan 3000-4000 Euro për çdo person

Dhjetë persona janë arrestuar nga policia në Portin e Durrësit, pasi tentuan të trafikonin në Itali 16 shtetas të mitur të moshave 17-vjeçare. Të miturit ishin kamufluar si pjesë të një ekpi sportiv, ndërsa vetë të arrestuarit iu prezantuan policisë si menaxherë, trajnerë dhe fizioterapistë të ekipit sportiv.

Të gjithë të arrestuarit, përfshirë edhe 16 të miturit, janë nga Kosova. Të arrestuarit janë B. B., 48 vjeç, D. Sh., 32 vjeç, D. G., 36 vjeç, F. B., 21 vjeç, F. Gj., 54 vjeç, A. D., 21 vjeçe, Q. K., 20 vjeçe, E. D., 21 vjeç, A. K., 22 vjeç dhe B. H., 37 vjeç.

Njëri nga të arrestuarit, organizatorit të kësaj veprimtarie kriminale, i janë gjetur dhe sekuestruar 5945 euro.

Sipas policisë, të miturit do të ndihmoheshin të kalonin ilegalisht drejt Italisë. Organizatorët janë paguar 3000-4000 Euro për të ndihmuar të miturit të hynin në Itali, ku më pas dyshohet se do kërkonin azil. Ata janë paguar nga të miturit dhe prindërit e këtyre të fundit. Fitimet përllogariten rreth 50 mijë Euro.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Të Fundit