40 milionë euro dëm nga parkingu/ Krimi Ekonomik “godet” bashkinë Fier, arrestohet ish-nënkryetarja dhe një zyrtar tjetër

Një operacion i Krimit Ekonomik në Fier i koduar “Parking” ka vënë në pranga dy persona mes tyre ish-nënkryetaren e bashkisë dhe ka pezulluar dy zyrtarë të tjerë të bashkisë, të akuzuar se i kanë shkaktuar shtetit dëm prej 40 milionë eurosh me taksat e parkingut.

Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasen Adela Hysenaj, 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;

-Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” u vendos për shtetasin Vasil Ceku, 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen Anisa Cjapi, 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin Martin Dodi, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Këta shtetas, duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron Bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milionë lekë në arkat e Bashkisë Fier.

Gjithashtu, këta shtetas, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregtare në Fier, kundrejt përfitimit.

Të Fundit