33 mln euro të ardhura nga rrjetet sociale! Nis hetimi për 100 individë e biznese

100 individë që fitojnë para përmes platformave sociale Facebook, TikTok, YouTube, Instagram, Google dhe PayPal po hetohen nga Drejtoria e Tatimeve.

Verifikimet paraprake tregojnë se janë 33 mln euro, të cilat nuk janë deklaruar dhe për këtë arsye u kërkohet subjekteve të deklarojnë të ardhurat me formularin DIVA.

“Ftojmë tatimpaguesit që nuk kanë reaguar ende, të kryejnë sa më shpejt këtë detyrim, për të shmangur penalitete dhe masa të tjera që mund të sjellë një hetim i thelluar”, thuhet në njoftim.

Tatimet nuk vendosin afat për plotësimin e deklaratës, dhe në këtë fazë synojnë të paralajmërojnë edhe subjekte të tjerë, përvec atyre që janë në hetim.

Sipas ligjit në fuqi, të gjitha të ardhurat e fituara nga platformat online duhet të deklarohen pasi, mbi to aplikohet tatimi 15%.

Për të shmangur pagesën e tatimit, këta individë apo biznese nuk i kanë deklaruar të ardhurat e tyre, e për pasojë kanë marrë gjoba si dhe ka nisur hetimi tatimor, i cili mund të arrijë deri në hetim të thelluar nëse këto subjekte nuk reagojnë.

Të Fundit