“3000 euro për t’u kujdesur për plantacionin e kanabisit”, dënohet çifti i shqiptarëve në Belgjikë

Një çift shqiptarësh janë dënuar nga Gjykata penale e Brukselit pasi dyshohen se janë përfshirë në rritjen e kanabisit në një plantacion në Overijse. Shqiptari u dënua me 3 vite burg, ndërsa partnerja e tij, u dënua me kusht.

Në fund të shkurtit 2024, hetuesit nga zona e policisë Druivenstreek kontrolluan një shtëpi në Duisburgsesteenueg. Nga hetimi rezultoi se shtëpia ishte bosh prej një viti e gjysmë, ndërsa konsumi i ujit dhe energjisë ishte shumë i lartë.

Gjatë kontrollit, policia zbuloi një plantacion kanabisi ku rriteshin 770 bimë. Banorët, një çift shqiptar, u arrestuan dhe u dërguan në burg. Burri rrëfeu faktet dhe deklaroi se kishte humbur punën në vendin e tij dhe për këtë arsye kishte pranuar propozimin për tu kujdesur për një plantacion kanabisi, kundrejt një pagese prej 3000 eurosh.

Në gjyq, burri pretendoi se e dashura e tij nuk ishte në dijeni se droga po rritej në shtëpi. Megjithatë, gjykata nuk e besoi këtë shpjegim dhe i dënoi të dy. Burri u dënua me tre vjet burg, ndërsa e dashura e tij u dënua me dy vjet burg me kusht.

Të Fundit