Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në 30-vjetorin e krijimit të kësaj partie ka publikuar një video në Facebook, ku tregon të gjitha veprat e bëra nga PD, që nga vitet 1990, kur drejtohej nga Sali Berisha, e deri në ditët e sotme.
“30 vjet më parë ne u ngritëm nga hiri i një vendi të dërrmuar. Bëmë gjithçka nën shembullin e heronjve, zërat e të cilëve kërkuan ndryshimin që ne sollëm.
Ne kemi arritur kaq shumë. Ne sollëm demokracinë, ne hapëm vende pune, ne zhvilluam ekonominë, ne ngritëm infrastrukturën anembanë vendit, ne futëm Shqipërinë në NATO, ne bëmë të mundur lëvizjen pa viza.
Ne jemi zëri i njerëzve që nga dita kur rrëzuam diktaturën komuniste, që nga ditët në shesh ne jemi në shërbimin tuaj.
30 vjet për ju, 30 vjet për demokracinë, 30 vjet për Partinë Demokratike, gjithmonë zëri i shqiptarëve”, thuhet në videon e publikuar nga Basha.
Për këto pamje, kreu i PD-së shkruan në Facebook: “30 vjet për demokracinë, gjithmonë zëri i shqiptarëve”.
Partia Demokratike u krijua më 11 dhjetor të vitit 1990 nga një grup studentësh dhe intelekualësh shqiptarë midis të cilëve Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Arben Imami, Eduard Selami dhe figura të tjera.
Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike u zgjodh Azem Hajdari.
Me vonë kryetar i Partisë Demokratike u zgjodh Sali Berisha.