30 mijë turistë vizitojnë Elbasanin, të huajt mahniten nga muzeu dhe ushqimi

Muzeu Etnografik në Elbasan është një prej pikave më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj.

30 mijë turistë e vizituan Elbasanin në 10 muaj të vitit 2024, dhe pika me e vizituar mbetet muzeu. Vlerat historike, etnografike të ekspozuara në eksponantet e tij tërheqin vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Turistët nga vende të ndryshme të botës e cilësojnë mbresëlënëse vizitën në Muzeun Etnografik.

“Është një ndërtesë e bukur. Mënyra sesi është ndërtuar, por edhe madhësia e dhomave, struktura. Dëgjova se bëhet fjalë për një shtëpi të vjetër . Kjo na tërhoqi që të kuptojmë më shumë edhe për traditën e vendit tuaj”, thotë një turiste.

“Jam nga Gjermania. Është hera ime e parë këtu në qytetin tuaj. Kjo ndërtesë e vjetër më duket interesante. Më pëlqen mënyra sesi është mobiluar”, shprehet një tjetër.

Drejtuesit e guidave turistike theksojnë se turistët kanë kureshtje të vizitojnë qytetin e Elbasanit, pasi përpos historisë, kulinaria është një tjetër aset. Ndërsa drejtori i muzeut thotë se vjeshta ka rikthyer turistët në Elbasan nga e gjithë Europa.

“Elbasani është pothuajse pjesë e çdo turi, është pak a shumë interesante pjesa e kalasë, si banojnë njerëzit brenda kalasë. Normale edhe gjërat tjera, kuzhinën nuk duhet ta harrojmë”, thotë Xhon Ahmeti, guidë turistike.

“Janë turistët kureshtarë, turistët që duan të njohin traditën, qytetin dhe turistë që kërkojnë resurset natyrore të qytetit dhe bashkisë Elbasan. Trendi është shumë në rritje, nga shumë vende dhe nga e gjithë Europa”, tregon Klinton Kapaj, drejtor i Muzeut Etnografik.

Muzeun Etnografik i Elbasanit u krijua ne vitin 1986 dhe në të prezantohen rreth 600 objekte origjinale. Veshjet i përkasin shekullit të XIX, ndërsa orenditë janë edhe më të hershme.

Të Fundit