2 muaj pa marrë rrogë, 25 sanitare të spitalit psikiatrik në protestë

25 sanitare të Spitalit Psikiatrik Vlorë në protestë për mungesën e pagesës së rrogës, mungesën e kontratës së punës, deklarimin e gabuar në bankë, pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës.

Në muajin e dytë pa marrë rrogën sanitare e Spitalit ‘Ali Mihali’ kanë dalë këtë të hënë në protestë duke kërkuar zgjidhje.

Ato thonë se kanë kërkuar të takojnë drejtuesen e Spitalit dhe përfaqësues të Firmës private që menaxhon Sanitaret, por prej gati dy muajsh askush nuk u përgjigjet.

Pagat minimale dhe mos pranimi për t’i pajisur me kontratë pune janë kosto që siç thonë sanitaret u rrezikon punën dhe të ardhmen në punë. Ato thonë se madje nga administrata e Spitalit janë kërcënuar me largim nga puna. Jemi kryefamiljare, mbajmë familjet, kemi nga 40 vite punë në këtë institucion, trajtohemi keq shtojnë ato.

Të kontaktuar, Inspektorati Shtetëror i Punës thotë se do të paraqiten në drejtori për t’u interesuar mbi situatën. Ndërsa nga vetë drejtoria e Spitalit nuk ka përgjigje, duke ia kaluar përgjegjësinë firmës private të kontraktuar për shërbimin e sanitareve. Ndërsa vetë sanitare thonë se do të sabotojnë punën në rast të mos dhënies së një zgjidhje.

Të Fundit