Kanë kaluar tashmë 2 muaj që nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani në shkollën “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij.
Prindër, qytetarë, të rinj dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar sërish për ngjarjen e rëndë në shkollën “Fan Noli”. Pas grumbullimit në shkollën “Fan Noli” ata marshuan drejt ministrisë së Arsimit.
Të pranishëm në protestë ishin edhe prindërit e Martinit. Babai i 14-vjeçarit bën thirrje për zbardhjen e ngjarjes.
“Fëmija besoj se është mbi të gjitha. Nuk kam fjalë se po përjetojmë një ngjarje shumë tragjike. Nuk flejmë gjumë, kemi një traumë shumë të madhe. Ju bëj thirrje prindërve, institucioneve, shëndetësisë sepse na ka kapur frika. Vetëm njëherë që kam shkuar tek Prokuroria dhe më tha që do t’i shkojmë deri në fund po deri tani heshtja vret më shumë. Heshtja është shumë e madhe dhe kaluan dy muaj. Nuk ishte një grup kriminal ajo mund të zbardhej edhe brenda tre ditëve. Vetëm media e ka pasqyruar. I kemi drejtuar edhe letër shkollës dhe përgjigja e tyre është ne e kemi dërguar në Prokurori. Ne si prindër nuk kemi asnjë lloj informacioni”, shprehet babai i Martin Canit.
Ndërkohë nëna e Martinit 14-vjeçar shprehet se kërkon drejtësi për vrasjen e të birit.
“Duam drejtësi, vetëm drejtësi kërkojmë asnjë gjë tjetër. Askush nuk më ka kontaktuar. Mesazhet i kam dërguar dhe unë dua vetëm drejtësi, kaq”, tha nëna e Martinit.
Dy nxënësit u konfliktuan pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku të dy ishin nxënës. 14-vjeçari Martin u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij, duke humbur jetën.