Policia italiane ka arrestuar tre shtetas tunizianë të dyshuar për përdhunimin në grup të një 19-vjeçareje nga Maroku, ngjarje e ndodhur më 8 korrik në një ndërtesë të braktisur pranë ish-aeroportit “Gino Allegri” në Padova.
Sipas raportimeve, e reja dhe i dashuri i saj 22-vjeçar nga Algjeria kishin zgjedhur ndërtesën për të kaluar natën, pasi kishin humbur udhëtimin e fundit për në Spanjë – vend ku jetonin.
Gjatë natës, tre të rinj me origjinë nga Afrika Veriore i sulmuan papritur, duke kërcënuar me thikë të riun algjerian dhe duke e detyruar të largohej. Më pas, ata i morën vajzës celularin dhe 25 euro që kishte me vete dhe e tërhoqën në një tjetër ndërtesë, ku dy prej tyre e përdhunuan, ndërsa i treti qëndroi roje.
Të arrestuar me precedentë penalë
Pas kallëzimit të bërë nga çifti, autoritetet nisën hetimet dhe arrestuan të tre të dyshuarit – përkatësisht më 19 korrik, 1 gusht dhe 6 gusht.
Hetimet zbuluan se njëri prej të arrestuarve, 19 vjeç, kishte qenë më parë i dënuar për grabitje ndaj një të mituri në vitin 2024 dhe ishte dënuar me 2 vjet e 7 muaj burg. Ai kishte arritur të arratisej nga burgu dhe kishte kryer sërish grabitje në Padova ndërmjet qershorit 2024 dhe majit 2025.
I dyshuari i dytë, i lindur në vitin 2005, ishte dënuar për pranimin e biçikletave të vjedhura, ndërsa i treti, gjithashtu 19 vjeç, kishte precedentë për grabitje, sulm fizik dhe vjedhje të rëndë nga një supermarket.