19 emra të showbiz-it turk akuzohen për drogë, mes tyre edhe yjet e serialeve

Turqia ka hapur një hetim për përdorim droge duke shënjestruar një mori personazhesh të famshëm.

Në hetimin e Byrosë së Krimeve të Narkotikëve, 19 persona, përfshirë Metin Akdülger (i njohur për rolin e tij në serialin “Sulltanesha Kösem”), Birce Akalay (seriali “Babil”) apo Berrak Tüzünataç (në serialet “Ezel” dhe “Sulejmani i madhërishëm”) janë marrë në pyetje dhe u janë marrë kampionët e gjakut.

Yje të muzikës, televizionit dhe të rrjeteve sociale kanë mohuar akuzat përmes avokatëve të tyre. Nuk janë ngritur akuza zyrtare.

Ngjarja ka shokuar industrinë e argëtimit në Turqi, ku konteksti i gjerë janë shqetësimet në vend për lirinë e fjalës.

Emra të tjerë të përfshirë janë: Dilan Polat, Engin Polat, İrem Derici, Kubilay Aka, Kaan Yıldırım, Hadise Açıkgöz, Duygu Özaslan Mutaf, Demet Evgar Babataş, Zeynep Meriç Aral Keskin, Özge Özpirinçci, Mert Yazıcıoğlu, Feyza Altun, Derin Talu, Deren Talu, Ziynet Sali dhe Ceren Moray Orcan.

Sipas ligjit turk, posedimi i drogës për përdorim personal dënohet deri në pesë vite burg. Megjithatë, gjykata mund të kërkojë trajtim ose ndalim për ata që e shkelin ligjin për herë të parë duke shmangur dënimin.

Kundërshtarët e presidentit Recep Tayyip Erdogan thonë se muajt e fundit janë shënjestruar figurat artistike, mediatike dhe opozitare.

Javën e shkuar, gazetari Fatih Altaylı doli para gjyqit me akuzën për “kërcënime” ndaj Erdogan. Gazetari i mohon akuzat dhe mund të dënohet deri në pesë vite burg.

Në shtator, u hap një hetim ndaj këngëtarit Mabel Matiz për “paturpësi” në këngët e tij. Ai mund të përballet me tre vite burg. Më pas, prokurorët thanë se do të kërkojnë dënim me një vit burg për grupin Manifest për “sjellje të papërshtatshme” në koreografitë e tyre.

Në mars, në vend shpërthyen protestat pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, vetëm pak ditë para se ai të zgjidhej si kandidat presidencial për zgjedhjet e vitit 2028. Imamoglu shihet si një prej kundërshtarëve më të fortë politikë të Erdogan. Qeveria e këtij të fundit i mohon akuzat.

Të Fundit