Pas rastit të konfirmuar me fruth tek një fëmijë 3-vjeçar në Tiranë, Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje prindërve të mos shmangin vaksinimin.
Rovena Daja, përgjegjëse e programimit të vaksinimit në ISHP, deklaron se e vetmja mënyrë për të parandaluar prekjen nga fruthi është vaksinimi. Por, shtyrja në kohë e vaksinës nga frika e autizimit apo dhe refuzimi total i saj nga prindërit ka bërë që 18 fëmijë gjatë 2025 të preken nga fruthi.
Nuk kanë munguar rastet e rënda nga kjo sëmundje shumë ngjitëse, por për fat të mirë nuk ka patur humbje jete. Instituti i Shëndetit Publik deklaron se pas hetimit të rastit të fundit nuk kanë rezultuar persona të tjerë të prekur nga fruthi.
Prindërit e fëmijës ishin të vaksinuar, ndërsa i mituri, i pavaksinuar, nuk frekuentonte çerdhe apo kopsht.
Sipas kalendarit të detyruar, vaksina e fruthit bëhet kur fëmija mbush 1 vjeç dhe në vitin e pestë të jetës. Por, vitet e fundit vaksinimi me dozën e parë ka rënë ndjeshëm në 73% dhe mbulesa me dozën e dytë është larg nivelit 95% që duhet për të ndaluar përhapjen e fruthit, sipas rekomandimeve të OBSH.



