Janë zhvilluar në bluevardin “Dëshmorët e Kombit”, homazhet për 4 viktimat e 21 Janarit.
Familjarët e 4 viktimave, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, kanë vendosur karafila të kuq në vendet ku u qëlluan për vdekje.
Ata u shoqëruan nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ministra, deputetë dhe kryetarë bashkie të Partisë Socialiste.
Kreu i qeverisë Edi Rama nuk ishte i pranishëm në homazhe, ndërsa reagoi në një postim në Facebook, ku shkroi: “21 Janar???? “Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë…”, shprehej Kryeministri.
Dosja për “21 Janarin” po hetohet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas një vendimi të Gjykatës së Lartë më 12 mars 2024.
Vendimi u mor pas rekursit të bërë nga familjarët e viktimave, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Më 21 janar 2011, opozita e atëhershme, sot në qeveri, protestoi para Kryeministrisë.
Protesta degradoi në dhunë dhe përplasje ndërsa nga brenda Kryeministrisë u hap zjarr duke sjellë edhe bilancin tragjik me katër viktima.
Edhe pse kanë kaluar 14 vite nga ajo ditë familjarët thonë se ende nuk po shohin drejtësi për të afërmit e tyre.