Vendet e varfra refuzuan rreth 100 milionë doza të vaksinave për COVID-19 sepse ato ishin gati të skadonin, njoftoi Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), i cili luan një rol të madh në mekanizmin ndërkombëtar Covax si partneri kryesor logjistik për shpërndarjen e vaksinave në vendet e pafavorizuara, deklaron se këto vende nuk do të pranojnë vaksina që janë shumë afër datës së skadencës.
“Mbi njëqind milionë doza u refuzuan” në dhjetor, tha drejtoresha e Divizionit të Furnizimit të Unicef-it, Etleva Kadilli, Komitetit të Zhvillimit të Parlamentit Evropian, duke shpjeguar se shumica e refuzimeve ishin për shkak të datës së skadencës.
Ajo shpjegoi se këtyre vendeve u duheshin doza që mund të ruheshin mjaftueshëm për të planifikuar fushatat e vaksinimit dhe për të imunizuar popullatat që jetojnë në zona të thella.
Në tetor dhe nëntor, 15 milionë doza të dhuruara nga Bashkimi Evropian u refuzuan nga vendet e varfra, 75% e të cilave ishin vaksina AstraZeneca. Këto vaksina skadonin pas 10 ditësh që mbërrinin në vendet e varfra.
Më shumë se 9.4 miliardë doza vaksinash janë administruar tani në mbarë botën, tha të enjten drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Të paktën 90 vende nuk e kanë arritur objektivin e vaksinimit prej 40% që ishte vendosur për fundin e vitit 2021.