Kryebashkiaku i Tiranë, Erion Veliaj ka reaguar nga qelia, duke treguar se ditën e sotme ka mbushur 100 ditë si i burgosur që nga data e 10 shkurtit të këtij vit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj thotë se ndalimi i padrejtë dhe arbitrar vazhdon, megjithëse nuk është akuzuar për asnjë vepër penale.
Sipas tij, vazhdimi i këtij paraburgimi është një ndërhyrje e panevojshme dhe joproporcionale në përmbushjen e detyrave publike.
Reagimi:
Shumë të dashur miq,
Sot bëhen 100 ditë nga burgimi im pa asnjë justifikim të arsyeshëm. Ndalimi im i padrejtë dhe arbitrar vazhdon, megjithëse nuk jam akuzuar për asnjë vepër penale. Si pasojë, po pengohem forcërisht nga ushtrimi i detyrave të mia si Kryetar i zgjedhur, me votë masive 3 herë, i Bashkisë së Tiranës.
Vazhdimi i këtij paraburgimi nuk përbën vetëm një sulm ndaj meje dhe familjes sime, por është edhe një ndërhyrje e panevojshme dhe joproporcionale në përmbushjen e detyrave publike, që më janë besuar nga qytetarët e Tiranës. Pavarësisht burgimit mbetem i papërkulur.
Çdo ditë që kalon, ma forcon edhe më shumë vendosmërinë. Angazhimi im ndaj Tiranës, ndaj jush, ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes së Shqipërisë mbetet i palëkundur.
Do të vazhdoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të siguruar lirimin tim, në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej qytetit tonë të mrekullueshëm si kryebashkiaku juaj.
Me mall dhe dashuri për secilin prej jush!