Reshjet e fundit të shiut kanë krijuar probleme serioze në qarkun e Shkodrës. Situata paraqitet më problematike në bashkinë e Vaut të Dejës, në njësitë administrative Bushat, Vau Dejës dhe Hajmel.
Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli tha se dalja nga shtrati e përroit të Glinës ka krijuar një situatë shumë të rëndë pasi uji ka vërshuar në tokat bujqësore dhe ka hyrë brenda banesave të vendasve dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në bagëti, shpendë dhe kosheret e bletëve.
“Përroi i Glinës ka dalë jashtë shtratit dhe po bën një përmbytje shumë të madhe në gjithë qytetin, deri tani janë 100 banesa që ka prezencë të ujit. Dëmet janë shumë të mëdha në bagëti shpendë dhe kosheret e bletëve. Shpresojmë mos të rrezikohet jeta e njerëzve se situata është shumë e rëndë. Gjithë stafi i bashkisë së Vaut të Dejës është në terren përkrah njerëzve, shpresojmë mos të kemi nevojë për evakuim. Përroi i Glinës është problemi kryesor, kemi 5 vite që aplikojmë dhe s’e kemi fituar, kemi nevojë për porta me gurë, diga malore”, tha Shkreli.



