Zjarret në Shqipëri, Niko Peleshi: Holanda do të dërgojë helikopter

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka deklaruar sot se situata në Gjirokastër është nën kontroll dhe i gjithë fokusi tashmë është shuarje e flakëve në Karaburun. Në një intervistë për Klan News, ministri ka bërë me dije se për të shuar flakët është kërkuar ndihma e vendeve fqinje dhe vende të tjera në Evropë dhe pozitivisht deri tani është përgjigjur Holanda.

Ai u shpreh se shumë shpejt nga Holanda do të vijnë helikopterë me kapacitet shumë të lartë që do të ndihmojnë forcat e armatosura.

Intervista e ministrit Niko Peleshi

Këtu jemi në fshatin Dukat, mbrapa është mali i Karaburunit. Sot jemi më mirë se dje, dje kemi punuar më shumë forca nga toka dhe nga ajri. Zjarri ka qenë pranë banesave dhe ne e kemi shmangur këtë gjë, tani është zjarri vetëm në lartësi. Kemi nisur trupa që po punojnë në pjesën e sipërme, por po punohet dhe nga ajri. Janë dy helikopter në punë. Duam që këtë perimetër jo thjesht ta vendosim në kontroll, por ta fikim fare. Deri tani kemi mësuar që zjarret kanë qenë të qëllimshëm.

Si ka qenë ndërhyrja në Pashaliman?

Ne kemi fikur flakët në mbrëmje, por gjatë natës flakët rinisën sërish dhe ishin shumë të rrezikshme. Ka qenë një operacion shumë i rrezikshëm në Pashaliman, por dhe në Gjirokastër ka pasur shumë rrezikshmëri. Zjarri ishte 50 deri 100 metra larg banesave. Dukej si e pamundur, por ia dolëm dhe e shuam zjarrin. Sot e konsiderojmë Gjirokastrën nën kontroll, por janë disa vatra të fjetura.

Pritet që gjatë ditës të shuhen vatrat në Karaburun?

Nëse do të mbetemi tek kjo pjesë e djegur, nuk është asgjë, pasi janë djegur vetëm shkurre dhe barishte. Si qëllim kemi eliminimin e këtyre vatrave dhe që të mos preket parku i Llogarasë. Ne kemi kërkuar në Evropë dhe kemi kërkuar ndihmë nga vendet fqinje. Dua të falënderoj Holandën që na është përgjigjur pozitivisht dhe do të ketë ndërhyrje shumë shpejt. Nga Holanda do të dërgohen helikopterë me kapacitet të lartë.

Ka patur disa akuza nga opozita për ndërhyrje jo në kohën e duhur, si i komentoni?

Opozita bën vëzhguesin me mikroskop, por duhet të bëjnë atë që do të bëja unë nëse do të isha në opozitë. Do të merrja të gjithë mbështetësit e mi dhe do të ndërhyja për të shuar flakët. Por që të bëjnë tallje me ushtarët me të thjesht është një cinizëm dhe tallje.

Të Fundit