Zjarret, kreu i Emergjencave Civile: Rrezik i shtuar, kam kërkuar ndihmë nga BE

Prej disa ditësh Shqipëria vijon të përballet me disa vatra zjarri në të gjithë vendin, ku më problematikja mbetet ajo në Karaburun. Ndërkohë, flakët kanë përfshirë dhe Poron, Kodrën mbi Livadh dhe grykëderdhjen e Vjosës.

Lidhur me situatën e krijuar nga zjarret në vendin tonë, ka folur kreu i Emergjencave Civile Haki Çako, i cili thekson se rreziku i zjarreve është shtuar pavarësisht shtimit të kapaciteteve njerëzore dhe teknike.

Çako njoftoi gjithashtu se ka kërkuar ndihmë nga mekanizmi i Bashkimit Europian, por situata është e vështirë në të gjithë vendet e Ballkanit.

 “Operacioni ka ditë që vazhdon. Sot janë intensifikuar kapacitetet e burimeve njerëzore ushtarake dhe shtim i kapaciteteve ajrore. Kemi vazhduar dhe jemi në operacion kemi dërguar helikopterë dhe trupa në destinacion në Karaburun për të shuar flakët. Vazhdon operacioni edhe me trupa të FA dhe vullnetarë e punonjës të mbrojtjes nga zjarri. Rreziku është pjesë e riskut, ka një rrezik të shtuar, por me punë  dhe shtimin e burimeve teknike e njerëzore shpresojmë ta mbajmë nën kontroll situatën. Nuk është e vërtetë që ka avancuar shumë. Ka ditë që ka filluar, por për shkak të terrenit të vështirë, ka vazhduar operacioni me trupa, por synojmë ndërprerjen e avancimin e zjarrit. Kemi operuar gjatë gjithë ditës së djeshme, kemi kërkuar nga mekanizmi i mbrojtës civile të BE mbështetje, por për shkak të situatës së rënduar në vendet e Ballkanit në mënyrë të veçantë Itali, Turqi Greqi, Mali i zi, pothuajse të gjitha vendet janë përfshirë nga temperatura të larta që kanë prodhuar zjarre”,-tha Çako.

Të Fundit