Xhelal Mziu: I bindur se Basha do shkojë drejt dorëheqjes, zgjedhjet treguan se baza nuk e do

Nuk besoj se zoti Berisha me shpalljen non grata, duhet të shkohej deri në përjashtimin e tij nga grupi. Nuk jam kundër SHBA, por jam kundër copëtimit të Partisë Demokratike. Pas 25 prillit, duhej reflektim. Shpallja non grata e Sali Berishës dhe përjashtimi, e copëtoi partinë.

Kështu tha deputeti demokrat, Xhelal Mziu për MCN, duke deklaruar se i intereson që Partia Demokratike të jetë më e fortë dhe se në kushtet ku jemi, duke iu referuar dhe 6 marsit, tregon se më 9 shtator, përjashtimi i Sali Berishës, ishte lëvizje e gabuar, ashtu sikundër organizimi i dy kuvendeve të ndara.

Sipas tij, votat e 6 marsit, treguan se PD nuk u zhvesh nga mbështetja e votuesit të djathtë, por se zgjidhja e vetme është bashkimi i PD, duke u bashkuar të dyja kahet dhe duke i hapur rrugë zgjedhjeve të lira.

Basha duhet të japë dorëheqjen që ti jepet zgjidhje PD. Jam i bindur se do shkojë drejt dorëheqjes. I ka respektuar forumet, kolegjin e kryetarëve dhe Kryesinë. Jam i bindur se sipas fjalëve të tij do të ketë hap pas dhe hapi pas është ikja nga drejtim i PD. Sugjeruam ngritjen e një komisioni të të dyja palëve, për të dalë edhe përtej PD. Na duhet një PD më konkurruese se në 25 prillin e kaluar. Te PD, duhet të aderojnë edhe persona që janë larguar që në ’92-in. Këtë nuk e bën dot një individ, por një komision i përbashkët. E drejta për të konkurruar është e gjithsecilit. Por që të shkojmë tek ky kongres përbashkimi, duhet filluar te baza e seksionit, rang dege dhe deri te prodhimi i një kryetari që merr shumicën e votave.

Xhelal Mziu tha se Lulzim Basha me këto zgjedhje tregoi se nuk ka mbështetjen e bazës, ndaj zgjidhja tha ai, është largimi i tij nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Mziu tha se nëse nuk jep dorëheqjen, Bashës do i ngelet vetëm sigla e PD dhe demokratët do e braktisin.

Për Sali Berishën tha se e vlerëson për kontributin, ndërsa shtoi se zgjidhja e vetme është dorëheqja e Lulzim Bashës dhe bashkimi i Partisë Demokratike, më shumë se të dyja kahet.

Për zgjedhjet e 6 marsit, ai tha se njëlloj si në 25 prilli, u përdor paraja dhe presioni dhe se në bashkinë Dibër, pati angazhim maksimal për të tjetërsuar votat.

Të Fundit