Vijojnë ende flakët në Malin e Tomorit, dy të arrestuar nga policia, ndezën zjarrin duke mbledhur bimë medicinale – Stop
Lajme, Të Gjitha

Vijojnë ende flakët në Malin e Tomorit, dy të arrestuar nga policia, ndezën zjarrin duke mbledhur bimë medicinale

SKRAPAR

Vijon ende zjarri në malin e Tomorit. Ndonëse zjarri është shuar në një pjesë të madhe falë ndërhyrjes nga ajri, disa vatra vijojnë të djegin zonë pyjore e shkurre, teksa flakët favorizohen nga era.

Ndërkohë policia ka arrestuar dy persona si autorë të zjarrvënies dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë tre të tjerë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Poliçan, pas njoftimit të marrë se në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit kishte rënë zjarr, i cili kishte dalë nga kontrolli, duke avancuar dhe duke përfshirë sipërfaqe të madhe me pisha, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë identifikuar dhe vënë në pranga autorët e zjarrvënies, shtetasit B. M., 50 vjeç dhe E. T., 32 vjeç, si dhe kanë proceduar penalisht shtetasit B. C., 41 vjeç, F. M., 44 vjeç dhe P. Sh., 30 vjeç, të gjithë banues në Lybeshë, Poliçan.

Këta shtetas kanë ndezur zjarr gjatë kohës që kanë qenë duke mbledhur bimë medicinale në Malin e Tomorit. Si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe prej 10 ha pyll me pisha.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë banorët dhe për barinjtë që në asnjë rast të mos ndezin zjarr dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *