Vaksinimi i “personaliteteve”/ Rama iu drejtohet mediave: Kur vendi është në hall zgjidhja është Edi Rama dhe PS.

Kryeministri Edi Rama foli sërish sot mbi çështjen e vaksinimit të personaliteteve që shkaktoi një debat në opinionin publik.

Kreu i qeverisë sqaroi edhe një herë se bëhet fjalë vetëm për kategorinë mbi 80 vjeç, duke u shprehur se disa pseudo-zëdhënës të opinionit publik lëshuan një ofensivë të turpshme.

“Nuk kam thënë asnjëherë unë që do vaksinohen personalitete jashtë kategorisë. Kjo është një zallamahi që e krijuat ju, kam parasysh zëdhënësit e opinionit publik me në krye disa pseudo-personalitete lëshuan një ofensivë të turpshme, pa asnjë dinjitet, pa asnjë kuptim, pse po vaksinohen disa njerëz të kategorisë 80 plus. Nëse dikush do më jap një argument që Alfred Moisiu duhet të vaksinohet i fundit jam i gatshëm ta dëgjoj.

Kjo është e turpshme! Nëse ne do të kishim bërë një grup personalitetesh, pa llogaritur këto kategori, dhe do kishim veçuar njerëz të moshave të ndryshme, atëherë do të hante një diskutim”, tha Rama.

Ndërsa u ndal te sigurimi i vaksinave anti-Covid, kryeministri tha se së shpejti do të vijnë më shumë doza, duke theksuar se “kur vendi është në hall zgjidhja është Edi Rama dhe PS”.

“Ne jemi në kushtet kur po luftojmë ditë-natë për të siguruar sa më shumë doza, kini parasysh që 70% e vaksinave në planet janë marrë nga 10 vende, 30% janë marrë nga shtete ku hyn dhe nga Shqipëria ndërsa 140 shtete kanë mbetur pa vaksinë. Sfida jonë është të mos ndalemi dhe shumë shpejt do kemi më shumë doza. Do provojmë edhe njëherë se kur bie një hall në këtë vend ka vetëm një adresë për ta zgjidhur hallin. Edi Rama dhe PS”, vijoi kreu i qeverisë.

Të Fundit