Ulen taksat për biznesin e vogël dhe fermerët, synim rimëkëmbja ekonomike e vendit!

Buxheti i vitit 2021 do të ketë si synim rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore si tërmeti i  26 Nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19. Sipas projektligjit, të ardhurat pritet të arrijnë në vlerën e 479 mld lekëve, ndërsa shpenzimet 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB.

Pesë shtyllat ku do shpërndahet buxheti janë rindërtimi, shëndetësia, arsimi,  bujqësia, dhe infrastruktura. Sa i përket rritjes ekonomikë, ky vit pritet të mbyllet me tkurrje -6.1%, dhe do të pasohet më një rritje 5.5 %.

Sa i përket politikës së taksave, viti 2021 nuk do të ketë një paketë të posaçme fiskale, pasi ndryshimet e miratuara tashmë, përfshijnë zerimin e disa taksave për biznesin e vogël.

Konkretisht, bizneset me xhiro vjetore nga 5 deri në 8 milionë lekë nuk do të paguajnë më tatim të thjeshtuar mbi fitimin, ndryshim që pritet t’i sjellë buxhetit të shtetit një efekt prej 350 milionë lekë. Ndërkaq, subjektet me qarkullim vjetor nga 8 deri në 14 milionë lekë do të lehtësohen nga tatimi mbi fitimin, dhe efekti për arkën e shtetit llogaritet rreth 300 milionë lekë më pak.

Edhe bizneset me të ardhura deri në 10 milionë lekë do të përjashtohen nga TVSH, duke krijuar një efekt negativ në të ardhura në rreth 4 miliardë lekë.

Prej vitit të ardhshëm do të rritet edhe paga minimale në vend nga 26 mijë në 30 mijë lekë, ku efekti në të ardhura llogaritet rreth 3 miliardë lekë.

Ndryshime janë bërë edhe në heqjen e akcizës së naftës për fermerët, ku përfitues do të jenë rreth 80 mijë të tillë e cila do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 1 miliard lekë.

Ndërkohë, sa i përket mbledhjes së taksave kryesore në vend, shifrat e 8-mujorit flasin për një moseficencë, e cila argumentohet me mbylljen nga pandemia COVID-19.

Kështu, të ardhurat nga taksa e pronës është mbledhur në vlerën 3.5 miliardë lekë, ose rreth 8% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019. Edhe nga taksat lokale, mungojnë j 2 miliardë lekë, dhe flitet  për një  rënie  me 16 % në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të Fundit