Ujësjellësi Kamëz, shkarkimi arbitrar i punonjësit dhe bllofi i drejtorit 14 qershor 2018

Engjëll Xhakollari denoncoi në emisionin “Stop” shkarkimin e padrejtë nga puna që i është bërë nga ana e drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime Kamëz. Ai tregoi se motivacioni i shkarkimit të tij është “mosparaqitje në detyrë pa shkaqe të arsyeshme”.

“Unë kam punuar 16 vjet si elektriçist dhe pompist në bashki dhe një ditë të bukur, kur isha në punë, më merr në telefon Hajri Lita. Kur shkova në punë në orën 7 të mëngjesit mora në telefon përgjegjësin dhe i thashë që jam unë sot në punë. Pas 20 minutash më merr në telefon përgjegjësi dhe më thotë që je i larguar. E pyeta për çfarë arsye dhe më tha që e di drejtori”, u shpreh denoncuesi.

Madje, për të provuar korrektësinë e tij, Engjëlli vendosi në dispozicion edhe procesverbalet. Ai i shqetësuar tha se nuk ka patur asnjë vërejtje me shkrim apo paralajmërim për largim nga puna.

“Mua më erdhi si bombë. Kur unë isha në punë, pse të mos më lajmëronin një ditë apo një muaj më parë?! Ata kanë vënë mosparaqitje në punë pa arsye, që s’bën vaki asnjëherë! As leje të zakonshme nuk kam bërë!”, shtoi Engjëlli.

Ndaj dhe gazetari i emisionit “Stop” së bashku me denoncuesin iu drejtuan Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime Kamëz për të komunikuar me drejtorin Tomorr Kotarja. Ai u shpreh se largimi nga puna është bërë për performancë të dobët, braktisje të detyrës dhe mosangazhim.

Gazetari – Përshëndetje! Si je?

Drejtor Tomorr Kotarja – Si kalove? Mirë?

Gazetari – Për hallin e… kemi ardhur.

Drejtor Tomorr Kotarja – Ëëëë?

Gazetari – Për zotërinë kemi ardhur!

Drejtor Tomorr Kotarja – Po, për çfarë?

Gazetari – Për shkarkimin nga puna.

Drejtor Tomorr Kotarja – Për shkarkimin?! Po nuk është vetëm zotëria. Duhet performancë… Hajde në zyrë, të pres. Zotëri, ti do presësh këtu!

Denoncuesi – Si urdhëroni! Po përse të mos vij unë?

Drejtor Tomorr Kotarja – Po, sepse nuk kam punë me ty tani, ka ardhur zyrtarisht ajo. Ty të shpjegoj, kur të nisesh zyrtarisht.

Gazetari – Tani erdhëm për Engjëllin. Tani, si qëndron puna e Engjëllit?

Drejtor Tomorr Kotarja – Është larguar nga puna për performancë të dobët dhe braktisje të detyrës në mënyrë të përsëritur dhe mosangazhim. Ka edhe një informacion, po themi gjithmonë në referencë. Bëj analizën e gjithë punonjësve nga degët përkatëse dhe personat që nuk kanë efiçencë në punë, që nuk janë korrektë me disiplinën dhe orarin, marrim masa të tilla, duke i larguar nga puna. Plus, që jemi edhe në kushtet, ku duhet të tkurrim akoma, në bazë të reformës edhe numrin e personelit, pasi kemi të përcaktuar edhe normën “artikulimi i ligjit 18”.

Gazetari – E kuptoj! Tani, tek shkresa që zotëria kishte në dorë, ishte për mosparaqitje.

Drejtor Tomorr Kotarja – Për mosparaqitjen në vendin e punës! Po, patjetër!

Gazetari – Po jemi në kushtet, që…, sepse po ta japin në mosparaqitjen në vendin e punës, jemi në kushtet që mua do të më përcaktohet fiks në cilin vend të punës, në cilin orar, në cilin turn, në cilën datë nuk jam paraqitur?

Drejtor Tomorr Kotarja – Tani unë do të… duhet të… nëse do domethënë, jo absolutisht që e ka në cilën datë s’është paraqitur. Por duhet të të jap informacion me shkrim, se merren burimet njerëzore dhe unë nuk mund ta mbaj mend, po themi.

Gazetari – E di kush është ideja? Sepse ai thotë që unë nuk kam ikur në asnjë moment nga vendi im i punës, i kam të gjitha të dokumentuara në procesverbal.

Drejtor Tomorr Kotarja – E thëna, e thëna, e thëna…

Gazetari – Ai thotë: i kam të gjitha të dokumentuara në procesverbal.

Drejtor Tomorr Kotarja – Edhe një herë, e thëna e atij me informacionin që kemi në drejtori nuk qëndron. Kështu që nuk kam çfarë të them më gjatë.

Gazetari – Mua më larguan për mosparaqitjen në vendin e punës, absolutisht duhet të përcaktohet fiks, me datë, me orë, me pozicion me…

Drejtor Tomorr Kotarja – Edhe njëherë, besoj se ka një relacion për punonjësin Engjëllush Xhakollari, për arsyen e largimit, kështu që pa merak, do t’ua vë në dispozicion…

Gazetari – A ka ndonjë paralajmërim sa i takon pjesës së mëparshme?

Drejtor Tomorr Kotarja – Po patjetër! Ka disa paralajmërime.

Në përgjigjen zyrtare thuhet se Engjëll Xhakollari nuk është gjetur në vendin e punës në datën 03.03.2018, ndërkohë që në procesverbal figuron se në këtë datë ka qenë një punonjës tjetër në stacionin e pompave, ndërsa Engjëlli e ka marrë këtë detyrë në datën 04.03.2018.

Gazetari i emisionit “Stop” e përmbylli duke thënë: “Pra jemi në kushtet që Engjëll Xhakollari nuk ka qenë në datën 3 në punë, por ka qenë në datën 4. Ky shkarkim është i padrejtë!”

Të Fundit