“U fitua beteja e parë”, Meta për mosdhënien e lejes për HEC: Lajm i mirë! Tani Vjosa të shpallet Park Kombëtar

Presidenti Ilir Meta ishte sot pjesë e Forumit Ndërkombëtar për lumin “Vjosa”, ku bëri me dije se u fitua një betejë e parë nga ambjentalistë e aktivistë, që ka të bëjë me mosdhënien e lejes për HEC-in e Kalivçit.

Ai tha se Vjosës i duhet një modeli i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, ndërsa propozoi kthimin e saj në Park Kombëtar.

“U bë e mundur të fitohet beteja e parë e një lufte, mosdhënia e lejes për HEC-in e Kalivacit. Do këshilloja që kjo nismë të vazhdohet për pjesën ende të pambrojtur të lumit Vjosa. Të shpalljet Park Kombëtar zona e Vjosës, sidomos pjesa Qesarat-Poçem e kërcënuar për ndërtimin e digave”,- tha Presidenti.

Sipas tij, “Vjosa nuk është vetëm e Shqipërisë, por e gjithë Europës. Duhet një strategji për zhvillim të qëndrueshëm,për mirëqenie për gjithë rajonin, jo ndërtim hercësh, të cilët nuk janë rrugë e blertë për zhvillimin e vendeve. Duhet turizëm veror, agrotuzimëm pasi është krejt e paparanueshme që zona të bukura dhe të pasura të shkatërrohen e braktisen. Janë vendimarrjet e gabuara politike që çojnë drejt shkatërrimit parajsa të tilla natyrore. Ne, me mjetet dhe veprime demokratike kemi për detyrë të mos e lejojmë”,- shtoi ai.

 

 

Presidenti shtoi se parakusht i të gjitha zhvillimeve të tera në një vend janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“I lumtur që isha pjesë e kësaj nisme të fillimit të shpëtimit nga digat të lumit Vjosa. Le ta quajmë së bashku një mision, ndërtimin e një modeli zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik”.

FJALA E PLOTE

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti Forumin Ndërkombëtar të organizuar online nga Konfindustria Shqiptare për shpalljen e nismës së Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik të lumit Vjosa dhe pellgut ujëmbledhës të tij.

Duke iu drejtuar ambasadorëve, akademikëve, shkencëtarëve dhe profesorëve të universiteteve europiane, deputetëve, përfaqësuesve të qeverisë, të shoqatave mjedisore dhe të pushtetit vendor të Shqipërisë si dhe Greqisë – pjesëmarrës në këtë forum të rëndësishëm ndërkombëtar dhe me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik, për turizmin dhe mbrojtjen e mjedisit, Presidenti i Republikës pasi falënderoi dhe përgëzoi Konfindustrinë për organizimin e Forumit Ndërkombëtar të sotëm, për shpalljen e Nismës së Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik të Rajonit të Basenit të Vjosës, nga burimi në malet e Pindit në Greqi, deri në grykëderdhjen në detin Adriatik në Shqipëri, u shpreh: “Jam i bindur dhe mbështes plotësisht thelbin e Nismës së Konfindustrisë, që ekosistemi lumor i Vjosës, si lumi i vetëm me rrjedhje të lirë në Europë, ose, i thonë ndryshe, i vetmi lumë i mbetur ‘i egër’, me potenciale jo vetëm natyrore, por dhe ekonomike të jashtëzakonshme, duhet vënë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së banorëve të basenit dhe vendit në tërësi.

Po ashtu, kjo nismë duhet t’i shërbejë edhe forcimit të fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe të jetë shembull edhe për Rajone të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kënaqësia ime, që ndodhem këtu, është e veçantë, sepse pikërisht nisma dhe organizime të tilla kanë në bazë filozofinë dhe standardet e Bashkimit Europian.

Lumi Vjosa dhe pasuritë e paçmuara natyrore të tij nuk janë vetëm pasuri e Shqipërisë, por e gjithë Europës. Sikundër edhe Shqipëria i përket Bashkimit Europian

Ndiej kënaqësi, sepse ri takoj vetëm pas disa javësh, shkencëtarët, profesorët e nderuar të universiteteve dhe organizatave mjedisore më të rëndësishme të Bashkimit Europian, në kushte të reja, kur me akte zyrtare, ka filluar të jetësohet shpëtimi i Lumit Vjosa, nga ndërtimet dhe projektet, që janë në kundërshtim me interesin publik afatgjatë.

E kam fjalën pikërisht në mosdhënien e lejes mjedisore të HEC-it të Kalivaçit. Veprim, që unë personalisht, e kam kërkuar me forcë dhe e mbështes plotësisht.

Me mendimet, arsyetimet dhe veprimet e personaliteteve të njohura dhe me përpjekjet e aktivistëve të shoqërisë civile dhe botës akademike shqiptare, u bë e mundur të fitohet beteja e parë e një lufte, që duhet të vazhdojë.

Mosdhënia e lejes mjedisore të HEC-it të Kalivaçit është pa dyshim një shenjë e mirë e vendimmarrjes, në ndihmë të mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri, në përputhje dhe me mendimin e përparuar shkencor, dhe me kërkesat e përsëritura të shumë organizmave ndërkombëtare dhe të BE-së.

Por unë do të këshilloja fort, që kjo nismë të vazhdonte më tej, për një mbrojtje të qëndrueshme të pjesës që është ende pa një status mbrojtje, dhe mbetet nën kërcënim.

Për këtë qeveria shqiptare duhet të hedhë një hap të dytë në drejtim të mbrojtjes së lumit të Vjosës, atë të shpalljes Park Kombëtar Lumor të pjesës lumore të mesme, sidomos të pjesës Qesarat-Poçem.

Kjo pjesë e lumit strehon vlera të larta biodiversiteti dhe habitatesh lumore, dhe njëkohësisht mbetet potencialisht e kërcënuar nga ndërtimi i digave.

Unë kam gjithmonë bindjen se ekspertiza akademike vendase dhe ajo ndërkombëtare janë të gatshëm të bashkëpunojnë për këtë.

Nisma për ndërtimin e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik të Rajonit të Vjosës, është shumë më tepër se sa vetëm shpëtimi i saj nga digat e HEC-ve.

Nisma në thelb është:

– Modeli i munguar, deri sot, i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit;

– Domosdoshmëria e dhënies fund të shfrytëzimit barbar në afatshkurtër të pasurive natyrore;

– Dhënia fund e praktikave të dhënies pa arsyetim, pa garë dhe me korrupsion të koncesioneve, PPP, që fatkeqësisht kanë goditur rëndë ekonominë kombëtare;

– Përafrimi me praktikat e zhvillimit të Rajoneve të BE-së dhe thellimi i bashkëpunimin me fqinjët në interes të përbashkët dhe të drejtpërdrejtë.

Strategjia e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Basenit të Lumit Vjosa krijon kushtet për rritjen e efektivitetit të përdorimit të fondeve buxhetore të qeverisë, bashkive, biznesit dhe individëve.

Gjithashtu, Strategjia krijon kushtet më të mira të mundshme, që të tërhiqen financime dhe investime të rëndësishme nga donatorë, institucione financiare ndërkombëtare dhe të programeve të BE-së, sepse Vjosa nuk është vetëm e Shqipërisë, por e gjithë Europës.

Shqipëria, me shembullin e mbrojtjes së Vjosës dhe ndërtimin e strategjisë, sipas standardeve europiane, kryen detyrën e saj, duke ia lënë radhën vendeve mike të BE-së dhe Europës të japin ndihmesën e tyre.

Suksesi i strategjisë për Rajonin e Vjosës mund të shërbejë si model ekonomik në të gjithë vendin tonë.

Ndërtimi dhe zbatimi i strategjisë për Zhvillim të Qëndrueshëm të Basenit të Lumit Vjosa do të prodhojë pa dyshim mirëqenie për banorët e rajonit, të prekur rëndë nga emigracioni, varfëria dhe mungesa e shpresës.

Ndërtimi i HEC-eve nuk mund të jetë kurrë sesi një rrugë ‘e blertë’, një rrugë e qëndrueshme për zhvillimin e vendit!

Shpallja e Parkut Kombëtar Lumor të rrjedhjes së mesme të lumit Vjosë do ta kthente vërtet pellgun lumor të Vjosës të veçantë nga ana e mundësive të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Duke filluar nga turizmi veror, tek turizmi natyror, ekologjik, agroturizmi apo edhe turizmi kulturor, historik, arkeologjik, që i gjithë lumi Vjosa dhe degët e tij ofrojnë përgjatë gjithë gjatësisë së tij.

Është krejt e papranueshme, që zona dhe krahina kaq të bukura dhe të pasura, që aq shumë vlerësohen nga turistë dhe shkencëtarë të Europës, të shkretohen dhe braktisen nga banorët.

Rajonit të Lumit Vjosa dhe gjithë Shqipërisë nuk i mungojnë pasuritë. Përkundrazi!

Janë vendimmarrjet politike të gabuara, të pa përgjegjshme, të korruptuara, shkaku i varfërisë dhe shkatërrimit të kësaj parajse natyrore dhe njerëzore.

Natyrisht, është detyra jonë, që të mos lejojmë, me mjete dhe institucione demokratike, vendimmarrjet politike të veprojnë në kundërshtim me interesin publik, sikundër në rastin e digave në Lumin e Vjosës.

Dhe parakusht i të gjitha kushteve, për sa me sipër, janë zgjedhjet e lira dhe të drejta.

Jam i lumtur, që kam qenë pjesë e ‘misionit të përbashkët’ me shoqërinë civile, aktivistët e mjedisit, të botës akademike, universitare dhe personaliteteve të vendit dhe të BE-së, të fillimit të shpëtimit nga digat të Lumit Vjosa.

Do të vazhdoj të jem gjithmonë përkrahës dhe mbështetës i të gjitha nismave, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës sonë të mrekullueshme.

Le ta quajmë, së bashku, një ‘mision në vazhdim’ ndërtimin e Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik të Rajonit të Vjosës, në shërbim të mirëqenies së banorëve dhe si shembull i qartë, se Shqipëria dhe shqiptarët dinë dhe i kanë të gjitha mundësitë, jo vetëm për të qenë pjesë e BE-së, por njëkohësisht të jenë edhe vlerë e shtuar dhe e çmuar e saj!

Të Fundit