U denoncuan në “Stop”, pezullohen nga detyra dy edukatorët e burgut të Reçit

Arnaldo Hoxha dhe Mario Laloshi, që të dy me funksionin specialist-psikolog në sektorin e çështjeve shoqërore në Burgun e Reçit në Shkodër janë pezulluar nga detyra. Vendimi i Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, erdhi pas denoncimit në emisionin “Stop” në Tv Klan të një rasti korrupsioni, ku këta persona kanë marrë para nga një i dënuar në këmbim të disa shërbimeve.

“Ministri Manja e firmosi urdhrin për pezullimin e të dy punonjësve dhe fillimin e hetimit administrativ ndaj tyre. Ndërkaq, për në IEVP Reç janë nisur grupet e inspektimit nga DPB dhe SHKBB për të zbardhur rastin”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë.

Hoxha dhe Laloshi u denoncuan nga kamerat e fshehta të emisionit investigativ “Stop” duke marrë para në këmbim të disa shërbimeve. Hoxha mori 20 mijë lekë në këmbim të ndikimit të tij në raport-vlerësimin e sjelljes së të burgosurve. Nga ana tjetër, Laloshi ishte përgjegjës për kontaktet e të burgosurve me familjarët./tvklan.al

Të Fundit