U denoncua nga Stop, arrestohet sanitarja e Sanatoriumit që merrte lekë nga vajza e pacientes

Tire Alldervishi 58 vjeçe, sanitare në spitalin Covid 2, Sanatorium, është arrestuar nga Policia e Tiranës pas denoncimit të emisionit Stop në Tv Klan.

58-vjeçarja i kishte marrë 8 milionë Lekë të vjetra nën dorë vajzës së një pacienteje me covid, që më pas ndërroi jetë si pasojë e sëmundjes.

Stop denoncoi se sanitarja Alldervishi pretendonte se ishte infermiere dhe kishte mashtruar 30-vjeçaren E.S., duke i premtuar se do t’i shërbente dhe kujdesej për nënën e saj të sëmurë me covid.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ndalimin e shtetases Tire Alldervishi 58 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në komunikatën e Policisë së Tiranës.

Ndryshe nga sa pretendonte sanitarja, e ëma e denoncueses disa ditë përpara se të humbte jetën është ankuar për shërbimin, madje edhe se sanitaret i kanë mohuar ushqimin pasi nuk donin që t’i ndërronin pampersat.

Mbrëmjen e së martës, reagoi edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila kërkoi shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares dhe të niste hetimi për rastin.

Të Fundit