Trafiku i qënieve njerëzore, gjenerali francez: Dominojnë shqiptarët

Në Kale të Francës vazhdojnë nisjet e varkave me emigrantë që synojnë të arrijnë Britaninë e Madhe.

Xhandarmëria franceze që kontrollon zonën në përpjekje për të ndalur fenomenin ka deklaruar se ka bllokuar thuajse gjysmën e përpjekjeve për të kaluar Kanalin, por megjithatë, mbi 30 mijë peresona kanë arritur të prekin brigjet e Mbretërisë së Bashkuar që nga fillimi i vitit.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për emigrantët që e konsiderojnë këtë aks tërheqës. Edhe rrjetet e trafikantëve e konsiderojnë të tillë gjithashtu.

Gjenerali Frantz Tavart i xhandarmërisë franceze ka deklaruar për BBC se rrjetet shqiptare të trafikantëve po veprojnë përtej Kanalit, të ndara nga rrjetet kurde dhe irakene.

“Rrjetet shqiptare janë më efikase se të tjerat. 40 për qind e personave që ndalojmë në këtë anë të kanalit janë shqiptarë, por ata përbëjnë edhe 60 për qind të atyre që arrijnë në krahun tjetër”, ka deklaruar gjenerali Tavart.

Sipas tij, grupet shqiptare kanë më shumë eksperiencë se të tjerat sa i takon aktiviteteve kriminale, janë më të organizuara dhe më të shkathëta kur duhet t’i shmangen policisë. Kjo bën që edhe çmimet që rrjetet shqiptare ofrojnë për shërbimet e tyre të jenë më të larta.

Oficeri i lartë ka nënvizuar se për momentin nuk mund të konfirmojë nëse rrugët e trafiqeve kontrollohen nga grupe kriminale të stabilizuara në Britani, por kjo sipas tij është një hipotezë që gjen mbështetje.

“Me një kalim që kushton rreth 4 mijë euro dhe me rreth 40 persona në një varkë, mund t’i bëni vetë llogaritë. Është një biznes jashtëzakonisht fitimprurës, edhe më i madh se ai i drogës dhe akuzat penale janë më të lehta”, ka shtuar gjenerali Tavart.

Të Fundit