Testi i drogës, kalojnë në “sitë” 1 mijë policët e parë, çfarë i pret efektivët që rezultojnë përdorues droge

Vijon testi i drogës për punonjësit e policisë, ku deri më tani janë kryer rreth 1 mijë testet e para. Faza e parë e testimit të policëve, të cilët janë përzgjedhur nga vlerësimi i eprorëve dhe SHÇBA, pritet të përmbyllet brenda muajit dhjetor. Nga testimet e kryera deri më tani, rreth 30 efektivë policie kanë dalë me rezultate mbi normën e lejuar.

Ndërkohë, për të saktësuar rezultatet, pritet të ribëhen testet për të saktësuar nëse rezultatet janë mbi normë për shkak të përdorimit të drogës apo si efekt anësor i përdorimit të medikamenteve të ndryshme. Kujtojmë se çdo punonjës policie ka të drejtën e ankimimit, nëse nuk e pranon rezultatin e testit.

Ndërkohë, pas kryerjes së dy testeve, analizat do të verifikohen nga një ekip mjekësor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe nëse rezulton se punonjësi i policisë është konsumator droge, atëherë standardet profesionale do të nisin ecuri të rëndë disiplinore për punonjësin, gjë e cila sjell përjashtimin e tij nga policia.

Të Fundit