Tërmeti në Kroaci, Meta, Rama dhe Basha shprehin mbështetjen e Shqipërisë

Shteti i Kroacisë u godit këtë të martë nga një tërmet i fortë me magnitudë 6.2 të shkallës Rihter duke shkaktuar panik e frikë tek banorët e qytetit Petrinja. Krerët më të lartë të Shqipërisë kanë përcjellë mesazh solidaritetit me Kroacinë pas tërmetit shkatërrues.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se ndihet i trishtuar nga tërmeti, ndërkohë thekson se Shqipëria do të jetë në krah të Kroacisë për ta ndihmuar me të gjitha mjetet e nevojshme.

“I trishtuar nga tërmeti i rëndë, që goditi sot Kroacinë mike! Solidaritet njerëzor me popullin dhe autoritetet kroate, me urimin për ta përballuar me të gjithë forcën këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen e familjeve, që kanë humbur të dashurit e tyre. Pranë Kroacisë, me të gjithë kapacitetet tona të mundshme, si partnerë strategjikë, krah për krah në çdo sfidë”, shkruan Meta në “Facebook”.

Po ashtu edhe kryeministri Rama shprehet se Shqipëria do të japë ndihmën e saj modeste për shtetin kroat, me qëllim, tejkalimin sa më parë të pasojave, që la pas tërmeti i ditës së sotme.

“U kam përcjellë sot shprehjen e solidaritetit vëllazëror Presidentit Milanoviç&Kryeministrit Plenkoviç, për fatkeqësinë mbi qytetin Petrinja! Shqipëria i është pranë me zemër Kroacisë mike e do të japë ndihmën e saj modeste për shërimin e plagës së hapur nga tërmeti i fortë”, shkruan Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një reagim për lajmin e viktimave nga tërmeti në Kroaci, u shpreh solidaritet të afërmve të viktimave.

“I trishtuar nga lajmi i një tërmeti të dytë në Kroaci sot. Mendimet dhe lutjet e mia shkojnë për familjet e viktimave. Ne solidariozohemi me popullin dhe shtetin kroat dhe i urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, shprehet Basha.

Të Fundit