“Talebanët janë të rrezikshëm”, afganët e strehuar në Qytetin Studenti: Tani jemi të qetë, këtu është mirë

Ka lindur një ditë e paqtë e me diell sot për afganët e ardhur rishtazi në Shqipëri.

Të akomoduar në një nga godinat e qytetit studenti, të rinjtë afganë për përjetojnë ditën e parë larg atdheut të tyre tashmë të kontrolluar nga talebanët.

Dhimbja padyshim është e madhe, por po ashtu edhe lehtësimi nga frika e talibanëve, nga frika për të nesërmen e tyre. Disa të rinj nga ata që u strehuan në qytetin studenti shprehen se tani ndihen të qetë.

Një student nga Afganistani thotë se talebanët janë të rrezikshëm dhe se shpreson që situata në vendin e tij të bëhet më mirë.

“Situata është e keqe, por shpresoj të bëhet më mirë. Ne jemi studentë, talebanët janë të rrezikshëm”, thotë i riu nga Afganistani.

Mes afganëve që kanë mbërritur në vendin tonë është edhe një gazetar, i cili tha për mikrofonin e kolegëve të tij në Shqipëri se në vendin tonë ndihet mirë.

Për situatën në Kabul ai tregon se është shumë e keqe, ndërsa shton se plani i tyre është që të qëndrojnë për disa javë në Shqipëri dhe më pas të largohen në SHBA.

Të rinjtë ishin pjesë e grupit prej 154 personave që mbërritën gjatë natës së kaluar në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, u shprehën se shumica prej tyre janë aktivistë, gazetarë e studentë, që u rrezikohej jeta në Afganistan.

Ata do të qëndrojnë në konviktet e Qytet Studentit në Tiranë, derisa të lirohen strukturat hoteliere në Durrës nga turistët./Balkan Web

Të Fundit