“Synojmë rrogën minimale 700 euro për mësuesit” Basha: Të trajtoheni si mjekët e infermierët! – Stop
Lajme, Të Gjitha

“Synojmë rrogën minimale 700 euro për mësuesit” Basha: Të trajtoheni si mjekët e infermierët!

Ndërsa mësuesit u ankuan për situatën e pandemisë në shkollë, për faktin se puna e tyre është shtuar dhe se ata nuk shpërblehen por orët shtesë, kryedemokrati Basha shfrytëzoi rastin të falenderonte mësuesit e pranishëm në takim dhe gjithë mësuesit shqiptarë, për punën e palodhur në shërbim të dijes dhe edukimit, sidomos në këtë situatë të vështirë për ta dhe familjet e tyre.

Z.Basha u shpreh se Partia Demokratike prej javësh ka përsëritur thirrjen për testim masiv dhe të vazhdueshëm për mësuesit, si një masë primare për parandalimin e infektimit në institucionet arsimore. Kjo masë dhe si dhe pajisja e tyre e përditshme me maska, higjienizues si dhe dezinfektim periodik të ambienteve mësimore, duhet të ishin masa që duhej të ishin marrë qysh prej fillimit të vitit shkollor, për të shmangur infektimin masiv të mësuesve dhe nxënësve.

Kryedemokrati përsëriti premtimin se qeveria e re e dalë nga 25 prilli, do të rrisë buxhetin vjetor për arsimin, duke synuar rrogën minimale 700 euro për mësuesit. Prioritet do të jetë arsimi profesional, teksa asnjë fëmijë shqiptar nuk do të privohet nga e drejta për t’u arsimuar për shkak të gjendjes ekonomike.

“Këtu, ne prej fillimit kemi kërkuar edhe do vazhdojmë të kërkojmë që ju të keni trajtimin që kemi kërkuar dhe për mjekët dhe infermierët. Trajtim mbrojtës do të thotë depistimi, pra testimet tuaja të vazhdueshme si kategoria më e ekspozuar pas mjekëve dhe infermierëve dhe kjo është arsyeja që prej fillimit kërkova testim masiv të gjithë mësuesve kur fillojë sezoni arsimor.

 

 

Së dyti, marrja e masave në ambientet arsimore, higjenizimi, uji i rrjedhshëm, pastrimi, dezinfektimi dhe maskat. Çfarë i kushton shtetit të blejë mjaftueshëm maska falas për arsimtarët? Kjo është arsyeja se pse duhen protokolle të qarta, protokollet e ajrosjes, të ventilimit, oraret kur ju duhet të dilni dhe të merrni frymë lirisht, të hiqni maskën, siç e kanë ato vende të cilat ndjekin këto praktika të pranisë së kufizuar.

Me planin tonë, gjëja e parë që do të bëjmë, është që niveli i financimit për arsimin në tërësi, duke përfshirë arsimin parauniversitar në veçanti, do të jetë jo më pak se në vendet e rajonit dhe do të synojë si përqindje të buxhetit, përqindjen e buxhetit si Bashkimi Europian. Qëllimi i përqasjes tonë do të jetë që brenda 4-vjeçarit tonë të parë, rroga minimale e arsimtarit shqiptar të jetë 700 euro në muaj, minimalja.

Për sa i përket arsimit profesional të mesëm, duhet t’ju them që është dhe do të jetë një prioritet programi dhe do të jetë në veçanti i financuar nga qeveria. Kemi mësuar edhe nga dështimet e kësaj qeveria, që janë të panumërta. Kemi mësuar është nga provoja e mëparshme. Synimi do të jetë që asnjë bir apo bijë shqiptari të mos mbetet pa studiuar për shkak të rrethanave ekonomike të familjes dhe dua ta mbyll duke ju kërkuar që të keni vëmendje dhe kujdes maksimal. Ju kërkoj ju, si prindërit e dytë të shoqërisë, të keni kujdes maksimal për shëndetin tuaj, të mbroni veten tuaj, në këto kushte shumë të vështira. Sikundër dua t’ju siguroj, t’ju garantoj se nuk do të rresht së përsërituri dhe të bëj çdo hap të mundshëm për të garantuar një mbështetje financiare anti-COVID për shkollat shqiptare, për mësuesit shqiptarë, natyrisht për nxënësit dhe prindërit shqiptarë.”

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *