Surpriza e hidhur: Tahiri i dhuroi motorrin e shërbimit, i kërkohet ta kthejë. 30 mars 2018

Xhemil Haluli u surprizua shumë në Qershor të vitit 2016, kur në prag të pensionit, pas pothuajse 44 vitesh punë në Policinë Rrugore, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri organizoi një ceremoni dhe i dhuroi motorin me të cilin kishte shërbyer në polici për disa dekada.

“Unë karrierën e Policisë Rrugore e kam filluar me 1 Shtator të vitit 1973. Kryesisht kam qenë gati 35 vjet polic trafiku. Shërbimi si polic trafiku është aq i bukur, por është edhe shumë i vështirë, se pasqyron Policinë e Shtetit. Për çdo të huaj që vjen në Shqipëri, kontaktin e parë e ka me policin e trafikut. E dyta, si kryen shërbimin, si zbaton ligjin…”, kujton Haluli.

Në Qershor të 2016-ës, karriera rreth 44-vjeçare e zotit Haluli ishte drejt fundit, ai do të dilte në pension dhe ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe mendoi t’i bënte një surprizë.

“Më jepet një shkresë urgjent, sepse unë isha edhe si tip korrieri. Do t’ia çosh urgjent ministrit në zyrë. E çoj unë atje… Hyj tek zyra e sekretarisë. Hyr më thonë se të kërkon ministri. Unë nuk kisha qenë ndonjëherë tek ministri. Del ministri bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe më thotë: -Si quhesh ti? Xhemil Haluli; Sa vite ke në Policinë e Shtetit? 43 për 44; Si e kemi Policinë e Shtetit? Në lartësinë e duhur- , i thashë. Mirë, mirë më tha, hajde zbresim. Në momentin që zbresim poshtë ne, i gjithë stafi i ministrisë ishte mbledhur.”

Haluli thotë se megjithëse motori është i rëndë dhe i vështirë për t’u përdorur, për të është edhe më i vlefshëm kur mendon se 2-3 të tillë kanë ngelur në Tiranë.

Por ndërkohë që ai priste nga momenti në moment që t’i kalonte edhe pronësia, të ndërroheshin targat dhe nga shtetëror të bëhej pronë civile, Halulit i erdhi një shkresë, që i kërkonte dorëzimin e motorit Guzi brenda 5 ditësh, pasi i ishte dhënë në kundërshtim me ligjin.

Në datën 16 Mars të vitit 2018, zotit Haluli i mbërrin shkresa nga Drejtoria e Policisë Rrugore Rajonale e Tiranës.

“Drejtuar Zotit Xhemil Haluli….duhet të paraqitet pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore brenda 5 ditëve për dorëzimin e motorit të mësipërm…”, shkruhej në shkresën, e cila për Halulin ishte si një “bombë”.

“Më thënë të drejtën kur më erdhi kjo shkresa më erdhi si bombë. Sepse unë prisja të më vinte shkresa e dorëzimit të motoçikletës për të kaluar dhe pajisur me targën civile. Dy vjet e ca, qëkur dola në pension unë prisja të më jepnin letrat.”

Pas disa ditësh Haluli e dorëzoi motorin e tij tip Guzi që iu bë dhuratë në 2016-ën nga ish-ministri i Brendshëm, Tahiri.

“Më ishte bërë si pjesëtar i familjes. Të gjitha veprimet i kryeja me këtë motor, për shi, borë e të gjitha. Vetëm me motor i mbaroja. Tani me thënë të drejtën sikur më mungon diçka e rëndësishme në familje. Ça t’i bësh, kështu i kanë ligjet.”

Por me ndërhyrjen e gazetarëve të “STOP” dhe interesimit personal të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, keqkuptimi u sqarua dhe motori u kthye tek i zoti.

“Dje në ora 14:00 Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, më thirri në zyrën e tij dhe më komunikoi që dorëzimi i kësaj motoçiklete ka qenë një keqkuptim nga kuadrot e mëparshme, sepse ky motor nuk ishte hequr nga inventari i Policisë Rrugore. Edhe unë jua di për nder drejtuesve të policisë dhe emisionit “Stop”që bënë të mundur që më kthehet përsëri në pronësinë time.”

Të Fundit