Stop -EMISIONI 72 (SEZONI 5) 10 dhjetor 2019-Aksidentohet ne pune ne Minierën e Kalimashit, kompania fsheh ngjarjen.

Një punonjës i Minierës së Kalimashit, i cili nuk do të identifikohet, tregon, se në 28 nëntor 2019, është aksidentuar një punëtor, të cilit i ka shpërthyer dinamiti dhe është në gjendje të rëndë. Për ta verifikuar lajmin, iu drejtuam spitalit të Kukësit, ku na thanë, se në këtë datë nuk është paraqitur shtetasi Halim Thaci. As në Tiranë, në QSUT apo Spitalin e Traumës nuk është paraqitur ky punëtor. Por “Stop” ka mësuar, se i aksidentuari është dërguar me makinat e kompanise private, në Prizren të Kosovës. Shkojmë atje në Spitalin e Përgjithshëm, ku ndodhet i aksidentuari dhe gruaja e tij. Halimi është dëmtuar rëndë, një sy e ka jashtë funksionit dhe plagë në trup dhe këmbët e thyera.Në kufirin e Morinit, Thaci ka kaluar pa asnjë dokument. Mjeku ortoped, që kuron Halimin pohon, se ai ka ardhur me makinën e kompanisë dhe më pas spitali ka njoftuar policinë e Prizrenit dhe më pas ka vijuar procedura. Në policinë e Trafikut Prizren, na thonë, që është përpiluar një raport kalimi në kufi dhe policia e Prizrenit ka marrë deklarata, që në spitalin e Kukësit ka patur mungesë aparaturash, në një kohë që në këtë spital, Halim Thaci nuk është paraqitur fare.

Tërmeti i 26 nëntorit la shumë banorë të Thumanës, Durrësit dhe zonave të tjera, pa strehë. Shumë shqiptarë janë sensibilizuar dhe i kanë strehuar banorët pranë bizneseve dhe shtëpive të tyre. Një prej tyre është Hotel Delux pranë Unazës së Re, që ka strehuar 60 persona, mes të cilëve Moza dhe Muhamedi, një cift të moshuarish nga Durrësi, me një djalë me prapambetje mendore, që e vuan ende historinë e tërmetit.Muhamed Baburra tregon, se ka 20 vjet, që jeton në Durrës, por tërmeti e shkatërroi banesën e tyre. 3 ditë ndenjën jashtë, derisa disa djem e vajza nga Tirana, i morën dhe i strehuan në Hotel Delux. Djali vuan fobinë dhe nuk pranon të rrije në hotel, por fle tek roja, ose rri jashtë. Muhamedi thotë, se ka nevojë për një psikiatër për djalin. Askush nuk është interesuar për ta dhe nuk kanë as shërbim mjekësor. Muhamedi i kërkon të gjithëve të venë dorën në zemër, pasi ai nuk do të kthehet në Durrës,por ka vendosur të rrijë në Tiranë, edhe pse pa të ardhura të mjaftueshme.


Në redaksinë e emisionit “Stop” ka ardhur një shqetësim nga studentët e Fakultetit të Mjeksisë, të cilët janë akomoduar tek godinat numër 3 dhe 4.Atyre u është komunikuar, që të lirojnë godinën, si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, për një vlerësim nga ekspertët.Iu drejtuam Rezidencës Studentore Universitare Numër 2, ku është Drejtoria, që ka në varësi 8 godina, ndër to edhe 3 dhe 4. Zëdhënësi Marjon Gorica, shprehet, se pas akt-konstatimit paraprak, Instituti i Ndërtimit do të bëjë edhe një tjetër konstatim teknik. Që kjo të realizohet, godina duhet bosh dhe studentët do të transferohen në një tjetër godinë. Kjo, derisa Instituti i Ndërtimit, të dalë me një vendim për dy godinat 3 dhe 4.Gorica sqaron, se studentëve, që do të zgjedhin të akomodohen vetë, do t’u kthehen paratë.

Të Fundit