STOP – EMISIONI 53 (SEZONI 2) – Stop
STOP

STOP – EMISIONI 53 (SEZONI 2)

The Guardian, lëvdata dhe ironi me ekspozitën e Ramës në New York.
Pak ditë më parë nga Shishtaveci i Kukësit, kryeministri Rama sugjeronte, që të shmangim mediat vendase dhe të lexojmë ato të huaja të tipit “the guardian”. Dhe ne iu drejtuam numrit të djeshëm të së përditshmes britanike. Në një artikull të gjatë mbi ekspozitën e Ramës në Neë-York, ndër të tjera “the guardian” bën ironi me gjendjen në vend dhe shkarravinat e zotit Rama mbi kalendarin e tij kryeministror. Në zyrën arsimore Krujë është komanduar përgjegjëse Dorina Kalaja, një specialiste ekonomie. Ajo thotë, se prej një viti është në këtë detyrë, pasi DAP nuk ka shpallur procedurat për hapjen e vendit të punës…?!

Skandali, Beqaj shkarkon kreun e Sigurimeve shëndetësore Tropoje, se nuk i shkoi në mbledhje partie!
Në këtë pjesë të emisionit transmetohet një bisedë telefonike, që ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, zhvillon me drejtuesin e Fondit të sigurimeve të Tropojës. Clirim Hajdarmataj është shkarkuar nga detyra, menjëherë pasi mungoi në një mbledhje partie të Tropojës. Beqaj, i deleguari i PS në qarkun e Kukësit, i kërkon llogari Hajdarmatajt për mungesën, duke u shprehur, se është fatkeqësi, që është edhe i deleguari i partisë, por edhe ministri i tij. Ministri i uron si pa të keq “suksese” në jetë Hajdarmatajt dhe në pak ditë vjen shkarkimi zyrtar…

kronika e zgjeruar:

Një ditë më parë emisioni investigativ “STOP” njoftoi të gjithë teleshikuesit e Televizionit Klan se gjatë puntatës së sotme do të njiheshin me një skandal të një ministri. Bëhet fjalë për Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Historia nis në datën 31 Tetor 2016, ku në qytetin e Tropojës është zhvilluar një mbledhje asambleje e Partisë Socialiste dhe i pranishëm në këtë mbledhje ka qenë edhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Gjatë kësaj mbledhje, për arsye personale nuk ka qenë i pranishëm Çlirim Hajdarmataj, Kryetar i degës së Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në qytetin e Tropojës. Por kjo mos prezencë i ka kushtuar jo pak Hajdarmatajt, pasi disa ditë më vonë, pikërisht në datën 7 Nëntor 2016, pas një urdhëri të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, z. Hajdarmataj është hequr nga puna. Ai vendosi t’i drejtohej emisionit “STOP” për të treguar publikisht këtë rast absurd të largimit nga puna.

Jam Çlirim Hajdarmataj nga Tropoja”.

Pse i jeni drejtuar emisionit “STOP”, cili është problemi juaj?
“Përgjatë tre viteve jam Kryetar i Degës së Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të degës së Tropojës. Papritur, pa asnjë lloj vërejtje, pa asnjë lloj këshille apo mase disiplinore, sot më komunikohet urdhëri i largimit nga puna, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, më datë 7.11.2016. Ky njoftim më ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky shkarkim i menjëhershëm ka ndodhur, për një mbledhje partie që unë nuk kam shkuar, e kam pasur të pamundur, kam pasur arsye personale dhe nuk kam qenë në mbledhjen e partisë të asamblesë të rrethit Tropojë”. 

Të Partisë Socialiste?
“Po, të Partisë Socialiste. Kjo është arsyeja e cila është shkelje flagrante dhe është një rast absurd, që të largohesh nga puna, se pse nuk erdhe në një mbledhje partie.”

Sipas një urdhëri të lëshuar më datë 4.11.2016 nga ana e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pra nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Kujdesit Shëndetësor urdhërohet shkarkimi i menjëhershëm nga puna i zotit Çlirim Hajdarmataj:
“Z. Çlirim Hajdarmataj, aktualisht me detyrë Kryetar i Degës Tropojë pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Kukës, t’i ndërpriten marrëdhëniet e punës dhe financiare me Fondin, duke filluar nga data 07.11.2016.”

Por historia nuk përfundon me kaq. Cila është arsyeja e vërtetë e largimit të tij nga puna? Ai ka komunikuar me Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili është i deleguari i Partisë Socialiste në Tropojë, ku gjatë bisedës, Ministri në fund shprehet se i uron gjithë të mirat në jetë, duke i lënë të kuptojë Çlirim Hajdarmatajt, që nuk do të jetë më pjesë e Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të degës së Tropojës.

Drejtori– Alo!
Ministri – Alo!
Drejtori – Po. Përshëndetje!
Ministri –  …… ?
Drejtori – Po.
Ministri – Unë jam Ilir Beqaj.
Drejtori – Po. Po ministër!
Ministri – Pse s’erdhe sot në mbledhje në 10 e gjysmë?
Drejtori – Si?
Ministri – Nga ora 10 e gjysmë, pse nuk erdhe në mbledhje të Asamblesë të zgjeruar?
Drejtori – Nuk erdha në mbledhje të Asamblesë?
Ministri – Po.
Drejtori – Nuk munda të vij, pata probleme.
Ministri – Pse? Pse s’erdhe?
Drejtori – Pata arsye të miat, personale.
Ministri – Pse nuk më njoftove para mbledhjes, që nuk vij dot?
Drejtori – Si?
Ministri – Pse nuk më njoftove mua para mbledhjes, që nuk vij dot në mbledhje?
Drejtori – Po nuk kisha ndonjë pikë kontakti me juve z.Ministër. Nuk më keni njoftuar.
Ministri – Nuk e ndjeje, që duhet të vije sot në mbledhjen e Asamblesë?
Drejtori – Po nuk ë… Nuk kisha mundësi, që të tregoja ty. Mua më ka njoftuar ish-kryetari, që ka qenë ……………. dhe ato i kam njoftuar, që s’vij.
Ministri – Po pse më gënjen mua? Pse s’më njoftove që s’vij?
Drejtori – Po si të të njoftoj unë ty? Se s’kisha si të njoftoja. Për çfarë me të njoftuar?
Ministri – Si jo? Jam i deleguari. Ti e di, që jam i deleguari i partisë.
Drejtori – E di. E di unë, që je i deleguari, po s’kisha si të njoftoja.
Ministri – Po pra!
Drejtori – Ti nuk më njoftove.
Ministri -……..
Drejtori – Ti z.Ministër nuk më njoftove për mbledhje! Nuk e mendova, që mund të njoftoja ty.
Ministri – Mirë, dakord. Hajde! Të uroj suksese në jetë atëhere!
Drejtori – Z. Ministër!
Ministri – Urdhëro!
Drejtori – Po, ne jemi bashkë për një qëllim, për Partinë Socialiste?
Ministri – Unë po të them, të uroj suksese në jetë!
Drejtori – Si në jetë o?  Ç’a është kjo? Se s’e kuptoj për ç’a po më thua kështu?
Ministri – Kuptoje si të duash!
Drejtori – Si kuptoje si të duash? O z.ministër…
Ministri – Si të duash. Si të duash.
Drejtori – Z.Ministër, ne jemi njerëz të sakrificës, që ia kemi bërë 8 vjet mundin Partisë Socialiste në Tropojë.
Ministri – Je…
Drejtori – Në kushte të Sali Berishës z. Ministër.
Ministri – Je njeri i përgjegjshëm, e kupton.
Drejtori – Unë jam shumë i përgjegjshëm dhe jam njeri shumë me parime. Jam njeri shumë i drejtë, por ia kemi bërë mundin e djersën Partisë Socialiste. Dhe jo me ardhë njerëz, njerëz, që na kanë sulmuar me armë. Na kanë sulmuar me armë në kohën e… kur kemi qenë ne në pushtet në 2000. Dhe janë dhe të filmuara z.Ministër.
Ministri – Po ta përsëris, të uroj suksese në jetë!
Drejtori – Z. Ministër, po nuk është…, nuk po më vjen mirë me ma thënë, se ne jemi bashkë për një qëllim.
Ministri – Kurse mua më vjen shumë më keq, që ti s’ke njoftuar, që s’vjen dot në mbledhje.
Drejtori – Unë të kam njoftuar. Të kam hyrë në zyrë edhe të kam thënë dhe ta kam çuar dhe email -in. Dhe firmën e 40 personave.
Ministri – Dhe unë të kam thënë, më vjen shumë keq, që pse s’më njoftove, që s’vij dot në mbledhje.
Drejtori – Po une të kam thënë më, ta kemi çuar email -in. Unë të kam takuar, unë jam shumë serioz mo burrë. Unë të kam ardhë, të kam takuar në zyrë o z.Ministër. Unë të kam sqaruar z. Ministër, të kam sqaruar, të kam ardhë në zyrë.
Ministri – Unë për fatin tënd të keq, për fatin tënd të keq…
Drejtori – Po, po. Alo!
Ministri – Unë për fatin tënd të keq kam dy marrëdhënie me ty: edhe i deleguar edhe ministri. Apo jo? Për shumicën e njerëzve jam thjeshtë si i deleguar, për ty jam dhe ministër.
Drejtori – Po je dhe ministër dhe unë të respektoj 100% dhe Partinë Socialiste nuk e devijoj asnjë minutë, Partinë Socialiste.
Ministri – Po të më respektoje mua…
Drejtori – As statusin. Unë të respektoj ty dhe të kam ardhur të kam kërkuar. T’u kam lutur njëherë si njeri, t’u kam lutur si anëtar partie.
Ministri – Edhe njëherë, mund të më thoje për arsye, që s’ti them dot, sot nuk vij dot. Kaq doja prej teje unë. Nuk vij dot.
Drejtori – Nuk e pashë të arsyeshme, se do të kisha njoftuar. Unë të kam ardhur, të kam… në zyrë.
Ministri – A, pikërisht!
Drejtori – Unë ta kam çuar email -in e arsyes që…
Ministri – Pikërisht pra, m.q.s. e thua vetë, që nuk e shef të arsyeshme, duket se gënjen. Hajde mirupafshim!

Aksidenti në Lushnje, mbi 3 akt-ekspertiza dhe 7 ekspertë për fajin e fajtorin.
Macisto Malia tregon në “Stop”, se ka bërë një aksident me makinë, e për pasojë një person ka humbur jetën.Në momentin e aksidentit, është quajtur i pafajshëm. Por një vit më vonë ngarkohet me faj.Duke parë dokumentacionin e kësaj dosjeje, rezulton, se janë kryer mbi 3-4 akt-ekspertiza nga më shumë se 7 ekspertë, duke e bërë të pamundur vendimin mbi fajësinë apo pafajësinë e Malias…

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *