STOP – EMISIONI 41 (SEZONI 3) – Stop
STOP

STOP – EMISIONI 41 (SEZONI 3)

Qeveria e Halloween-it dhe nisja e vettingut.
Në të gjithë botën sot festohet dita e halloween-it, dhe me këtë rast, “Stop” i dhuron qeverisë një kartolinë urimi. Ish-lidhja e shkrimtarëve në Tiranë u përurua dje në funksionin e saj më të ri, atë të shtëpisë së vettingut. Në aktivitet morën pjesë ambasadorët Lu e Vlahutin, të cilët e quajtën ditën e djeshme, një ditë shprese për shqiptarët. Lidhur me vettingun, Renaldo ka realizuar intervista me humor, duke shtruar pyetjen: vettingu duhet të nisë nga lart, nga gjyqtarë e pushtetarë, apo nga poshtë, nga pensionistë e pagatorë..?!

Po nuk eci goja, do eci leku:kamera e fshehtë, 200 mijë lekë për patentën.

Kamera e fshehtë e “STOP” tregon sesi merret me para në dorë raporti mjekësor, që provon aftësinë e shqisave, syve e veshëve, për të marrë një patentë për drejtim automjeti.

Një qytetare drejtohet në poliklinikën e Vorës dhe pasi paguan pajiset me raport, edhe pse nuk kryen asnjë vizitë, madje nuk ka asnjë autorizim nga mjeku i familjes. Pas saj, një tjetër qytetar kryen të njëjtën procedurë, duke paguar 50 mijë lekë të vjetra, nga 40 mijë, që kushtojnë vizitat normalisht.

E pas sigurimit të raportit, “STOP” testoi edhe sistemin e marrjes së patentës.

Me 200 mijë lekë të vjetra, nuk ke nevojë të hysh në praktikë dhe patenta vjen vetë tek qytetari, pasi siç thotë instruktori i “Berti-al”: Po nuk eci goja, do eci leku.

Kamera e fshehtë e emisionit “STOP”, fillimisht ka shkuar te poliklinika e Vorës. Qytetarja i tregon kryeinfermieres që ishte e interesuar për patentë. Pavarësisht se nuk ishte e lagjes, kryeinfermierja e “rregullon” këtë punë, përkundrejt një pagese prej 40 mijë lekësh. 

Kryeinfermierja: Për patentë?

Qytetarja: Po.

Kryeinfermierja: Ku banoni?

Qytetarja: Këtu afër komunës, jam më qera, sa kam ardhur.

Kryeinfermierja: Kë ke mjek familje?

Qytetarja: S’e di. S’jam regjistruar asnjëherë.

Kryeinfermierja: Se si rregull, ty moj zemër, të bie të shkosh në… tek mjeku i familjes.

Qytetarja: E di.

Kryeinfermierja: Një herë këto që vijnë kështu.

Qytetarja: Po t’i lë njëherë këto ty, të të lë edhe një numër telefoni dhe po munde mirë, po s’munde…

Kryeinfermierja: Dy foto më duhen. E di ti që është me pagesë kjo.

Qytetarja: Po po! Nuk prish punë.

Kryeinfermierja: Edhe për sytë, edhe për veshët.

Qytetarja: Po e di që s’jam e lagjes. Nuk prish punë, vetëm të më ndihmosh, që të mbaroj punë dhe të çoj letrat, të regjistrohem.

Qytetarja: Po sa shkojnë, që ta di?

Kryeinfermierja: Tani, formulari bën 10 mijë lekë. E ke informacionin, ke dhe vizitat e syve ke dhe të veshëve, që i ke dhe ato më pagesë. I ke nga pesëmbëdhjetë mijë lekë.

Kryeinfermierja: Do shkosh vetë në Tiranë?

Qytetarja: Jo, jo! Nuk kam kohë.

Kryeinfermierja: Mirë. Mos shko fare ti te mjeku se ta çoj unë. Lëre! Mos ashtu se ta çoj unë.

Kryeinfermierja: Mos fol me njeri! Vetëm me mua!

Qytetarja: Jo, jo!

Kryeinfermierja ia siguron raportin qytetares.

Por pas shumë denoncimeve në redaksinë e emisionit “STOP”, se kryeinfermierja siguronte vazhdimisht raporte në këtë mënyrë u dërgua edhe një herë tjetër një kamerë e fshehtë për të kuptuar nëse ajo do të vepronte po njësoj.

Qytetari pyet një punonjës të poliklinikës se ku mund ta gjente një të tillë. Ai e drejton për te kryeinfermierja.

Qytetari: Më duhet një raport për patentë, mjeko-ligjor.

Kryeinfermierja: Më jep kartën e identitetit!

Kryeinfermierja e siguron qytetarin se do ta rregullojë, pavarësisht se ai nuk ka letër nga mjeku i familjes.

Kryeinfermierja: Dy foto… dhe ne mbase nuk njihemi…aaa…?

Qytetari: Më duhet raporti. Kaq!

Kryeinfermierja: Vetëm kaq!

Qytetari: Ta bëj dhe pagesën e kësaj?

Kryeinfermierja: Po bëje dhe pagesën. Dhe nesër në mëngjes shihemi! Përveçse me mua nuk do flasësh me njeri!

Kryeinfermierja tregohet e gatshme për të rregulluar raportin për qytetarin.

Kryeinfermierja: Vetëm se unë të shoh si çun i omël, çun i mirë dhe pa fjalë dhe me të mbaru punë.

Të dy kamerat e fshehta e vërtetuan se kryeinfermierja në poliklinikën e Vorës jepte në mënyrë të vazhdueshme raporte për patentë.

Pas sigurimit të raporteve kamera e fshehtë e emisionit “STOP” shkoi për të testuar sistemin e marrjes se patentave.

Instruktori i provimit të praktikës tregon që personi që po testohet në makinë ka paguar për të marrë provimin e teorisë. 

Instruktori: 200 mijë (të vjetra) ka dhënë xxx për teorinë!

Qytetarja: 200?

Instruktori: Po!

Qytetarja: Po kjo s’bëri asgjë?

Instruktori: Atje hy si zotni masanaj, me kollare. Bëhen më përpara ato. Çohen me emra ato, tak-tak.

Instruktori merr përsipër që me 100 mijë lekë të vjetra merret provimi.

Instruktori: Po nuk eci goja, do eci leku.

Qytetarja: T’i kam bo 50-çe, se kështu mi nxorri banka.

Instruktori: Jo, rrofsh.

Instruktori i “Berti-al” siguron që praktika do merret pa u futur në provim. Sipas tij nuk ka kuptim të futesh në provim kur ke paguar para.

Fizioterapia e Spitalit të Traumës, 7 muaj në pritje të përurimit të Ramës…
Në klinikën e njohur si “iraniani” bicikleta e zemrës duket si orendi mobilimi, pasi për pacientët, që kanë një nevojë të tillë, nuk punon.Infermierët i drejtojnë pacientët në zonën e 21 dhjetorit, pavarësisht, se bëhet fjalë për të sëmurë, që duhet të përshkojnë anën tjetër të qytetit.

Qytetarja –Si jeni? Mirë? Kam ardhur, të pyes, se kam babin të sëmurë nga zemra dhe i kanë thënë për bicikletë.
Infermierja- Po këtu nuk është vënë akoma në punë.
Qytetarja – Si t’ia bëjmë?
Infermierja- Tek cila lagje je?
Qytetarja – Kjo pra!Për këtu na kanë thënë.
Infermierja- I planifikon më duket tek 21-shi.
Qytetarja – Po kjo, ca është? A është bicikletë?
Infermierja- Po! Bicikletë është.
Qytetarja – S’punon kjo?
Infermierja- S’i kanë vënë akoma në punë.
Qytetarja – Po pse? Ca ka ajo, për t’u vënë në punë? Të shkojmë në deri tek 21-shi, duke pasur lagjen këtu.
Infermierja- S’i kanë vënë. Cfarë të them unë?!
Infermierja- Shko tek shefja, në katin e dytë.
Qytetarja- Në katin e dytë?
Infermierja – Po!
 
Qytetarja – Si jeni?
Kryeinfermierja- Mirë! Si jeni?
Qytetarja – Shkova këtu tek zemra, se kam babin për bicikletë dhe më tha ajo infermierja, që të pyes këtu, që bicikleta nuk është në punë dhe më tha, për të shkuar tek 21-shi.
Kryeinfermierja-Po!
Qytetarja- Pse duhet të shkoj tek 21-shi? Unë jam e kësaj lagjeje.
Kryeinfermierja- Je e kësaj lagjeje, po kur s’është vënë në punë asnjë cik ajo, si do…?
Qytetarja – Si s’është vënë në punë ajo? Ajo s’do ndonjë shpikje, bicikletë është, nuk është ndonjë…
Kryeinfermierja- Ka ajo, ka gjëra, që duhen. 
Qytetarja – S’mund të shkoj unë përditë tek 21- shi, të coj një njeri të sëmurë, duke pasur shtëpinë këtu.
Kryeinfermierja- Se ato kërkojnë edhe kushte, se është shumë e kollajtë ajo bicikleta, po gjatë bicikletës mund të ndodhë një gjë dhe duhet të jesh i përgatitur për të gjitha gjërat. Prandaj! Se nuk është kaq e lehtë.
 
Qytetarja – Faleminderit shumë!Mirupafshim!

***

Të dielën e 29 tetorit, kryeministri Rama përuroi qendrën e re të fizioterapsisë në Spitalin e Traumës. Por “Stop” tregon përmes investigimit të gazetarëve dhe kameras së fshehtë, se kjo qendrës, kishte 7 muaj, që kishte përfunduar e për t’u vënë në funksion, pritej thjesht ardhja e kryeministrit Rama…?!

Qytetarja- Me kë duhet të flas, kështu për fizioterapi? Jam paciente, por nga sporti I sforcuar, kam dëmtuar këto tendinat edhe kam problem, nuk rri dot në këmbë.
Mjeku-Me kë jeni konsultuar?
Qytetarja- Kam shkuar atje tek QSUT-ja dhe më thanë për këtu.A është kjo qendra e Fizioterapisë?
Mjeku- Qendra është me një fjalë, por ne…akoma nuk është hapur shërbimi i fizioterapisë. Ishte për sot për t’u hapur.
Qytetarja- Po!
Mjeku- Dhe pritet, që të hapet nga dita në ditë.
Qytetarja- Ai doktorri kështu më tha mua, është një qendër e re, është bërë aty dhe shko pyet aty, tha.
Mjeku- Prandaj të them, presim sot dhe nuk kanë ardhur. Mbase e jep në televizor, mund të hapet nesër dhe kështuqë…
Qytetarja-Po si t’ia bëj unë? Cfarë më rekomandon? Ku të shkoj?
Mjeku- Të paktën deri sa të hapet këtu, duhet të shkosh diku! Nuk e di.
 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *