STOP – EMISIONI 199 (SEZONI 2)

Karagjozët sipas Ilir Metës dhe një lapsus frojdian për Lulzim Bashën.
Kryeministri Rama po kërkon cdo ditë “timonin e pushtetit” pas zgjedhjeve të 25 qershorit.Presidenti i zgjedhur Ilir Meta nga Shkodra i quajti “karagjozë” Ramën dhe Bashën, duke kërkuar votën për LSI-në.Në Mallakastër Enkelejd Alibej e prezantoi Lulzim Bashën si “projektuesin e Rilindjes” dhe e korrigjoi, sapo kuptoi, që kish bërë një “lapsus frojdian”.Ndërsa vetë Basha u shpreh nga Mallakastra, se për Ramën ka rëndësi të jetë mirë Beso…?!

Zhvendosja e dyshimtë dhe e shtrenjtë e zyrave të ish-komunës Kashar.
Një grup ish-banorësh të komunës së dikurshme të Kasharit denoncojë, se papritur e pa u pyetur nga askush, godina e administratës u zhvendos.Ata thonë, se zyrat e reja kanë vajtur larg dhe për më tepër, për to paguhet një shumë e majme për qira, kur ndërtesa e vjetër ishte shtetërore.Në fakt, nga një vëzhgim i “Stop”, rezulton, se ish komuna është në gjendje shumë të mirë, por zyrat e reja janë zhvendosur tek Astiri dhe për to, mësohet, se paguhen 8 mijë euro në muaj.

“Na ka sjellë shumë probleme për arsye se ne këtu i kishim afër, kryenim problemet, hallet, nevojat që kishim. E para kjo, e dyta ata kur ikën nuk pyetën asnjë nga banorët, asnjë nga anëtarët e këtij komuniteti. Gjynaf!”

Gazetari – Pse ikën?

Ikën për më mirë për veten e tyre, por jo për ne, komunitetin. Ish- kryetari apo administratori që mund ta quajmë, un nuk e mbaj mend, nuk e di a ka ardhur ndonjëherë këtu. Ajo ka shpenzime kolosale se 400 lekë (të vjetra) i dua prej këtu deri në Mëzez, 400 nga Mëzezi deri te Astiri, bëjnë 800 e 800 për të ardhë, bëjnë 1600 (lekë të vjetra). 500 bën certifikata, 2100, po unë 140000 lekë pension kam.”

Banorët ankohen për transferimin e administratës nga Kashari në Astir për shumë arsye, ku përmendin largësinë dhe hapësirën e vogël që disponon, pasi ndodhet në një pallat.   

“Tani na janë vështirsuar të gjitha gjërat, por ajo që unë nuk arrita të kuptoj nga shpërngulja e njësisë administrative është se pse duhet të largohet prej këtej kur kjo banesë është e shtetit dhe është e vetja. Këtu nuk paguajnë as qera, ka dalë atje që paguan qera. Pse duhet të paguash qera me taksat tona, kur ke banesën tënde këtu. Pra largimi më duket i paarsyeshëm dhe i pallogjikshëm. Kjo ishte një qendër ku lidhte të gjithë zinxhirin e fshatrave të njësisë administrative.”

Godina e njësisë administrative të ish-komunës së Kasharit është ndërtuar në vitin 1968, por në vitin 1992 është vendosur administrata. Nga një vëzhgim i kryer nga gazetari i emisionit “STOP” rezulton se godina është në gjendje shumë të mirë dhe me kushte optimale për një administratë, ndaj nuk mund të jetë kjo arsyeja që ka bërë transferimin e tyre në një godinë që qiraja paguhet 8000 euro.

Gazetari i emisionit “STOP” iu drejtua zyrës së re të administratës së Njësisë Administrative të Kasharit, e cila ndodhet në një pallat në zonën e Astirit, ku komunikoi me Erin Çatrin, administratorin.  

Gazetari – Shkurtimisht, nuk të marr shumë kohë. Në lidhje me transferimin e administratës nga komuna që ka qenë atje, pse ka ardhë këtu? Arsyeja, pse është transferuar, kur ajo është godinë-shtet, nuk paguanit qira më përpara? Plus që është qendër?

AdministratoriNuk është e vërtetë ajo ëëë…, nuk ka qenë godinë shtet. Ajo ka qenë një institucion i ndarë përgjys. Ajoka qenë një godinë e zaptuar nga banorë, të cilët jetonin…

Gazetari – Në katin e 3-të.

AdministratoriLart dhe katin poshtë, pra institucioni ishte jashtë kontrollit.

Gazetari – Po s’kishte p.sh. kati i parë ishte bosh sot. Vetëm kati i 3-të, por nuk e kishte hyrjen nga hynit ju.

AdministratoriKa dy hyrje ai institucion, është kështu godina, ka një këtej, një këtej.

Gazetari – Në hymë dhe nuk pamë kështu, ndonjë problem. Jo hyme dhe nuk kishte lidhje kati i 3-të me hyrjen, që hyhet nga shkallët. Sa paguani këtu si administratë? Qera?

AdministratoriKëto nuk janë pyetje, janë kofidenciale, mund të shkosh të… nuk e di se sa paguhet, se e ka bërë qeranë Bashkia Tiranë.

Administratori Erin Çatrin u shpreh se u detyruan të largoheshin nga Kashari sepse në godinën 3-katëshe jetonin banorë, por ata janë transferuar në një pallat 12-katësh…

I hequr padrejtësisht nga puna, shteti nuk zbaton vendimin e gjykatës.
Qemal Shabani denoncon në “Stop” largimin pa të drejtë nga puna. Ai ka shërbyer si punonjës policie që nga viti 1993. Së fundi Shabani punonte si operator kamerash në Spitalin e Burgut, por u shkarkua, për “shkelje të rregullave të shërbimit”.Komisioni i disiplinës në Ministrinë e Drejtësisë e më pas Gjykata e Apelit Administrativ vendosën kthimin e Qemal Shabanit në punë dhe dëmshpërblim me 12 paga. Por asnjë vendim nuk u zbatua.Gazetarja e “Stop” shoqëron Shabanin në zyrën përmbarimore, ku kryen procedurën për ekzekutimin e vendimit gjyqësor.

“Në Qershor të 2014-ës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve merr një vendim për largimin tim nga puna, me motivacion “shkelje të rëndë të rregullave të shërbimit”. Iu drejtova Komisionit të Disiplinës së Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisioni vendosi rikthimin tim në punë. Vendimi i Komisionit nuk u mor për bazë. Për këtë arsye iu drejtova Gjykatës së Apelit të Shkallës së Parë, e cila vendosi dëmshpërblim me 12 paga dhe rikthim në detyrë. Unë kërkoj rikthimin në punë, dëmshpërblimin sipas vendimit të gjykatës dhe drejtësia të shkojë në vendin e duhur.”

Gazetarja e emisionit “STOP” komunikoi për këtë çështje me drejtorin e Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta.

“Ky vendim ka marrë formën e prerë që më 25.04.2017 dhe i jep të drejtën paditësit që t’i drejtohet Drejtorisë së Burgjeve nëpërmjet Zyrës së Përmbarimit për ta ekzekutuar këtë vendim. Drejtoria e Burgjeve ka detyrimin që t’i përgjigjet edhe me dëmshpërblimin edhe me kthimin në punë, ashtu siç është vendimi i  Gjykatës Administrative të Apelit.

Gazetarja së bashku me Qemal Shabanin i janë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Zyrës Përmbarimor, nga ku Qemali bëri regjistrimin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Specialisti i Zyrës Përmbarimore Tiranë, Petrit Mehmeti shprehet se pas kërkesës së Qemal Shabanit, brenda 3 ditësh përcaktohet përmbaruesi gjyqësor, më pas bëhet lajmërimi për ekzekutim vullnetar, për të cilin pala kreditore duhet t’i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Falë denoncimit në emisionin “STOP”, Qemal Shabani së shpejti do të mund të ekzekutohet vendimi i gjykatës, pra do të kthehet në punë dhe do të marrë dëmshpërblim prej 12 pagash.

Të Fundit