STOP – EMISIONI 182 (SEZONI 3) 15 maj 2018 Mori makinë me qira me dokumenta false, zhduket autori i grabitjes.

Pronari i një kompanie ku jepen makina me qira, Shkëlqim Balla tregoi në emisionin “Stop” sesi i vodhën një makinë tip “BMW” me vlerë 35 mijë Euro.

Më datë 23 Prill 2018 një djalë, i cili sipas patentës quhej Enis Dedaj, mori një makinë me qira me dokumente false, por konform rregullave të kompanisë.

“Unë me kursimet e jetës hapa një firmë me makina me qira. Në datën 23 Prill erdhi një klient me dokumente false, që nuk mund t’i njihja dot. Normalisht ne e mbajmë atë (kartën e identitetit), por në momentin kur mori kontratën, mori dhe kartën e identitetit, pavarësisht se ishte false. Kam mundur t’i marr patentën, një fotografi, ku shkruhej Enis Dedaj. Pasi e verifikova në rrugë dytësore, ky emër nuk ekzistonte, ishte false”, rrëfeu denoncuesi.

“Enis Dedaj” e kishte marrë makinën me qira për dy ditë, por nuk e ktheu më. Ndaj dhe Balla bëri kallëzim penal në polici, duke dorëzuar të gjitha provat që kishte.

Përmes shërbimit GPS, në datën 24 Prill Shkëlqimi ndoqi makinën, e cila rezultoi të ndodhej e parkuar në kishën e Shna Ndout në Laç.

“U paraqita te rajoni i policisë në Laç dhe i thashë që e kam makinën te kisha. Kur shkuam atje ishte greminë dhe nuk kishte rrugë. Aty e kuptuam që GPS ishte çmontuar”, shtoi ai.

Sipas shërbimit të GPS, kjo e fundit është çmontuar në një pikë këmbimi në dalje të Laçit dhe në hyrje të Mamurrasit.

Shkëlqim Balla në mënyrë private mundi ta identifikojë personin që i ka grabitur makinën, por nuk mund të bëjë asgjë, pasi nuk është i sigurt 100 për qind. Ai tregoi se ia ka dorëzuar policisë të gjitha materialet që ka hetuar vetë, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë as nga autori i grabitjes dhe as nga zbardhja e ngjarjes.

Biznesmeni e pëmbylli duke thënë: “Kjo është punë e policisë, nuk është punë private, prandaj paguajmë dhe taksat”.

Polici te Zogu i Zi merr para, për të falur daljen në komision.

Ditën e sotme në emisionin “Stop” u transmetua një video, ku u shfaq një polic duke falur shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor në këmbim të parave.

Në zonën e Zogut të Zi, një qytetar hyri me makinë në një parakalim të gabuar, duke shkelur madje edhe sinjalistikën për ndalimin e këmbësorëve, por pasi i dha para policit rrugor, ai vendosi të mos e çojë para komisionit.

Polici Rrugor – Për atë manovrën aty dhe atë lloj shpejtësie, që ishe aty ti do marrësh masa, sepse aty thotë një vend ndalim këmbësorësh.

Qytetari – Q… robt! Dita e parë që vij në Shqipëri dhe veni gjobë, or burrë!

Polici Rrugor – Po ti e pe vetë sesi po ecje.

Qytetari – Mirë veje gjobën, ça ke për të vënë, hajde!

Polici Rrugor – Në rregull!

Qytetari – Veje gjobën, o vëlla, s’ka problem! Sa është gjoba?

Polici Rrugor – Gjobën e vendos komisioni, sa lekë do e marrësh.

Qytetari – Si komision?

Polici Rrugor – Patjetër!

Qytetari – Komision për këtë? Seriozisht e ke?

Polici Rrugor – Po hë! Si t’u duk ty? Si po ecje?

Qytetari – Po parakalim bëra, parakalim i gabuar, por jo komision, o burrë! Ve një masë gjobe, po jo komision se s’ka kuptim! Ç’është kjo punë?!

Polici Rrugor – Po ça të të shkruaj? I bie mos të ta shkruaj, më mirë të fal!

Qytetari – Po mirë, më fal! Po të jap një kafe dhe hajt shëndet! Prit aty sa të shkoj të thyej lekët se s’kam lekë shqiptare!

Polici Rrugor – Hape krahun aty, më andej!

Qytetari – Leka për xhaxhi policin!

Hë shefi? Ja, se ta jap prapë!

Polici Rrugor – Na merri këto dhe mos ec në atë lloj mënyre që ecën! Dakord?

Qytetari – Na shihi! Shihi, shihi se s’i ke parë mirë! (qytetari i jep lekët policit).

Polici Rrugor – A je dakord kështu?

Qytetari – O po erdha më në Shqipëri unë…

Polici Rrugor – Po erdhe më në Shqipëri?! Pse?

Qytetari – Po ça thu, or burrë! Këtu është katastrofë!

Polici Rrugor – Po të ecësh tamam, nuk është katastrofë.

Qytetari – Po leje, o burrë, se aty hyn në rreth si kafshë, mirë që s’të shtypin, të ecësh tamam…

Polici Rrugor – Po të ecësh avash, po të ecësh me rregulla… Edhe në Gjermani të ecësh tamam nuk të bezdis policia, gjithandej njësoj është.

Qytetari – Hajde mirupafshim!

Polici Rrugor – Mirupafshim!

Pra, polici rrugor pavarësisht faktit që i mori para drejtuesit të automjetit për të mos e nxjerrë para komisionit, e këshilloi madje të respektojë rregullat e qarkullimit rrugor.

Denoncimi i “Stop”, dorëhiqet nënprefekti i Kurbinit Mikel Kola.

Pak ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e nënprefektit të Kurbinit, i cili punonte edhe në një institucion kredidhënës gjatë orarit zyrtar të punës në institucionin shtetëror.

Pas vërtetimit të konfliktit të interesit dhe shkeljes ligjore, Mikel Kola ka dorëzuar dorëheqjen dhe prefekti Gjergj Prendi tha se ka nisur procedura e largimit të tij.

“Rezultoi se emisioni “Stop” ka konstatuar një paligjshmëri të saktë. Nënprefekti i Kurbinit ka dhënë dorëheqjen dhe ne si institucion i prefektit kemi hapur procedurat për largimin e tij nga puna”, u shpreh prefekti Prendi.

Çfarë transmetoi emisioni “Stop” lidhur me shkeljen e rëndë të ligjit nga ana e nënprefektit Mikel Kola:

Emisioni “Stop” ka mësuar se nënprefekti i Kurbinit lë çdo ditë zyrën e shtetit për të punuar në një institucion tjetër, që jep kredi. Ndaj dhe gazetarja iu drejtua Laçit për të komunikuar me të në zyrën e Nënprefekturës Kurbin, por u përball me një derë të kyçur dhe punonjës që nuk e dinin se ku ndodhej.

Mos vallë ndodhej duke punuar në mënyrë private, gjatë orarit zyrtar që duhej të qëndronte në nënprefekturë? Një “qytetar” vërtetoi që ndodhej në institucionin privat, duke u marrë me dhënie kredie.

Qytetari – Edhe diçka tjetër! Mikeli?

Punonjësi – Si? Ja!

Qytetari – O, Mikel! Ça bëre? Erdha për kredinë, fola me këta.

Nënprefekti Kola – Po nuk ka nevojë, njësoj është.

Qytetari – Mua më ka adresuar XXX. Ai shoferi me sharon.

Nënprefekti Kola – Po, po..

Qytetari – Edhe problemi qëndron këtu: unë s’i kam siguracionet.

Nënprefekti Kola – Nuk hyjnë në punë.

Qytetari – Më ndihmon?

Nënprefekti Kola – Sa lekë të duhen?

Qytetari – Po 1.2 milionë i thashë ktij, o burrë! Ose 1 milionë.

Nënprefekti Kola – Hajde se do i bëjmë, do i bëjmë.

Qytetari – Do më ndihmosh me një fjalë?

Nënprefekti Kola – Ndonjë gjë për garanci, gjete? Ça të tha ai ty?

Qytetari – Garanci atë, që punoj.

Nënprefekti Kola – Vërtetimin e pagës. Ku je duke punuar?

Qytetari – Te Dormeo… Bëhet eeeee?

Nënprefekti Kola – Po, bëhet!

Qytetari – Faleminderit!

Por i vënë në dijeni për mbërritjen e emisionit “Stop”, nënprefekti Kola u kthye në zyrën e shtetit dhe tha se ndodhej në Fushë-Mamurras për një problem prone të një qytetari.

Dyert e prefekturës normalisht që ka momente që janë të mbyllura sepse puna jonë… Nejse! E kisha për kamerën sepse fillimisht dua të bëjmë një bisedë bashkë e pastaj me kamerën. Megjithatë ti erdhe me kamerën direkt, nuk prish punë fare. Kam qenë në Fushë – Mamurras, ka bërë një ankesë njëri për toka. Shkova e verifikova, tani do t’i raportoj shefit”, tha ai.

I pyetur nga gazetarja e emisionit “Stop” nëse është i vështirë posti që drejton, Mikel Kola u shpreh se është punë me probleme, por jo e vështirë. Por kur gazetarja i përmendi biznesin privat ku jep kredi, nënprefekti u kap në befasi dhe tha se në Nënprefekturën e Kurbinit punon me kohë të plotë. Gjithashtu u shpreh se nuk ishte në dijeni të ligjit në Kodin e Punës, ku thuhet se nuk lejohet dy punësimi kur punon në institucion shtetëror.

Gazetarja – Suksese në jetë!

Nënprefekti Kola – Faleminderit, por nuk ka vend për suksese në jetë besoj.

Gazetarja – Suksese në jetë është shprehja jonë e preferuar.

Nënprefekti Kola – E di edhe ku e keni marrë dhe si e përdorni, por shyqyr që… ata janë nivel tjetër që përdorin këtë shprehje.

Gazetarja – Gjithsesi, suksese në jetë dhe faleminderit!

Gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi me prefektin Gjergj Prendi në lidhje me dy punësimin e nënprefektit gjatë orarit zyrtar të punës.

“Për rastin që ju ngreni si shqetësim, unë nuk jam në dijeni. Zotëria ka rreth 4 muaj që ka filluar në detyrën e nënprefektit. Në dijeninë time ai e ka dorëzuar detyrën që kryen në institucionin e prefektit të Lezhës, si nënprefekt i rrethit të Kurbinit ai e kryen me përpikmëri”, u shpreh prefekti i Lezhës.

Ai tha se do të verifikonte nëse nënprefekti Kola është në shkelje të Kodit të Punës dhe më pas do t’i kërkonte dorëheqjen dhe nëse nuk do të pranojë, do të bëjë propozim për shkarkim nga detyra.

Moderatorët e emisionit “Stop” komentuan me humor fotografinë e Kryeministrit Rama që prefekti i Lezhës mbante në zyrë, si dhe ngjyrën mavi me të cilin ishin lyer muret.

Të Fundit