STOP – EMISIONI 168 (SEZONI 3) 25 prill 2018 Skandali, si u tjetërsuan pasuritë, megjithëse ishin nën sekuestro.

Majlinda Beja Agolli denoncon në emisionin “Stop” problemet me pronën e saj, me të cilën po abuzohet nga ana e ndërtueses Natasha Ulqinaku.

“Unë i jam drejtuar emisionit ‘Stop’ për të zgjidhur problemin që kam që prej vitit 2010. Patëm një truall që ishte pronë e mamasë sime, Hamide Beja. Unë Majlinda, Mimoza dhe Edmondi trashëgonim këtë pronë prej mamasë tonë. E dhamë këtë truall në rrugën “Ali Visha” për objekt. Në bazë të kontratës së sipërmarrjes që ne bëmë me firmën “Dajti FN”, me administratoren Natasha Ulqinaku në vitin 2010 u ndërtua objekti dhe dolëm pa pronë fare!”

Familja Agolli lidhi kontratë me shoqërinë e ndërtimit “Dajti FN” për ndërtimin e një objekti në truallin e trashëguar prej nënës së tyre, në këmbim të tre apartamenteve dhe tre dyqaneve.

Denoncuesja tregoi se morën një apartament dhe më pas kryen një kontratë tjetër, ku kthyen pjesën tjetër të objekteve në vlerën monetare prej 167 mijë euro, por nuk i kanë marrë ende këto para.

“Natasha Ulqinaku nuk na ktheu detyrimin. Thoshte do ua jap kur të kem lekët, kur të shes apartamentet”, u shpreh Majlinda.

Në vitin 2013, nisi kalvari gjyqësor mes familjes Agolli dhe shoqërisë së ndërtimit “Dajti FN”. Gjykata dha vendim të formës së prerë, sipas të cilës, një përmbarues privat vendosi nën sekuestro konservative tre pasuri të shoqërisë.

Përmbaruesi Medat Kajolli tha se më datë 6 Qershor 2016 janë vënë nën sekuestro disa pasuri të palës debitore dhe më datë 20 Qershor është konfirmuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë që janë vënë nën sekuestro. Por pasuria numër 228 doli nga ZRPP e pastër dhe shoqëria “Dajti FN” e shiti, pavarësisht se ishte e sekuestruar.

“Më 16 Gusht të vitit 2017 vihemi në dijeni nga ZRPP Tiranë për një nga pasuritë, që ishte vënë në sekuestro nga ana e Zyrës Përmbarimore, që ka ndodhur transaksion, është bërë shitje”, tregoi përmbaruesi privat.

Ai shtoi se nëpërmjet një shkrese kërkuan nga ZRPP-ja në Tetor të vitit 2017 që t’i informonte dhe t’u dërgonte një kopje të të gjithë dokumentacionit nga regjistrimi fillestar i pronës e deri në momentin e shitjes për të kuptuar sesi ka qenë e mundur që është hequr nga sekuestro dhe më pas është shitur. Por deri më sot nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje.

Në një ballafaqim të denoncueses Majlinda Agolli dhe ndërtueses Natasha Ulqinaku në lidhje me shitjen e apartamentit të sekuestruar, kjo e fundit u shpreh se prona është e familjes Ulqinaku, duke e kërcënuar se ata mund “ta shkrijnë”.

Majlinda Agolli – Apartamentin përse e shite?

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Sepse do mbaroja pallatin tënd, që është 600…

Majlinda Agolli – Apartamentin, përse e shite që ishte në sekuestro?

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Unë me…, pse e shita…. po të jap llogari ty unë mi?! Unë s’i jap llogari familjes time, të të jap ty… Ajo është e imja.

Majlinda Agolli – Ajo ishte me sekuestro.

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Ajo ishte e imja, ishte e familjes time.

Majlinda Agolli – Ishte me sekuestro.

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Shko gjeje, shko gjeje!

Majlinda Agolli – Si e hoqe nga hipoteka?

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Unë ta hoqa? Je në terezi ti me trutë e kokës, e di me kë po flet?

Majlinda Agolli – Kush e hoqi? Kush e hoqi?

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Shko gjeje, kush e hoqi!

Majlinda Agolli – Më thuaj ti, ku ta gjej!

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Dhe di unë, si e vure, si e vure? Familja Ulqinaku të shkrin ty.

Majlinda Agolli – Më thuaj ti, ku ta gjej!

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Vazhdon, vajtëm atje te Hipoteka me Albanën, unë Albanës s’ia njoh surratin. As s’kam ndër mend. Albana do të shkojë në burg, le ta ketë burrin prokuror.

Majlinda Agolli – Kam certifikatën e pronës.

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Je në mend ti eee? Kontratën e ka bërë familja Ulqinaku që në 2005-ën, e ka bërë kush është pronare trualli. Ç’deshe ti që erdhe në familjen e Ulqinakve?! Ç’deshe ti, mirë me mua, po në pronën e atij?!

Majlinda Agolli – Atë e di përmbarimi, s’e di unë.

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Ti, ti, ti, ti e bëre!

Majlinda Agolli – Më jep lekët! Unë qartë po flas. Bëj ç’të duash ti me pronat e tua, mua më jep lekët!

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Ua, ua, ua, me ty nuk ia del dot me gojë, sinqerisht. S’ia del, s’ia del.

Majlinda Agolli – Po, normal!

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – Mendova, se je rritur dhe ke ndryshuar. Nuk ke ndryshuar.

Majlinda Agolli – Jo!

Ndërtuesja Natasha Ulqinaku – A të keqen! Falë Zotit atij të Gjatit, që i ka dhënë shputë këtyre të gjithëve, mashtruseve!

Moderatori i emisionit “Stop”, Saimir Kodra ngriti pyetjen sesi është e mundur që një pronë e bllokuar nga një urdhër përmbarimor të zhbllokohet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të shitet…

Qytetarët shqiptarë dhe bijtë e k..rvës…?!

Nesër është dita e seancës parlamentare të rradhës. Por dilema e qytetarëve është, nëse do të përsëriten skenat e seancës së shkuar, kur ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri deklaroi, se do t’i shkojë deri në fund të vërtetës së tij dhe për këtë nuk ka bir k..rve që mund ta pengojë. Renaldo ka pyetur qytetarët për këtë dhe shumica e tyre thonë, se të tilla shprehje, politikanët ia adresojnë njëri-tjetrit.

Ankesa e qytetarit: paguaj energji me matës biznesi, Stop zgjidh problemin.

Ndue Kodra tregon në “stop”, se në shtëpinë e tij në Delvinë ka një matës energjie, që më parë ka funksionuar si matës për një biznes, që u mbyll.Por që atëherë, faturat i vinin të larta.Për këtë problem ka bredhur në dyert e gjykatava, por sërish matësi i energjisë nuk iu ndryshua. Gazetari i “Stop” iu drejtua drejtorit të OSHEE-së Sarandë, Feruz Basho, i cili premtoi zgjidhje duke aplikuar për pikëlidhje të re e duke rakorduar sasinë e shpenzuar të energjisë me pagesat.

 

Të Fundit