STOP – EMISIONI 167 (SEZONI 3) 24 prill 2018 Prokurori e gjykatë i mohojnë mamasë kujdestarinë, vajza me gjyshërit.

Lisiana Hoxha nga Vlora tregon në “Stop” historinë e saj, që nisi si martesë fatkeqe, por sot nuk po mundet të marrë kujdestarinë e vajzës së saj.Në moshë fare të re u martua me Renato Xhogun,por për shkak të dhunës së tij dhe familjarëve të tjerë, ata u ndanë. Lisiana mori vajzën e vogël dhe u largua nga shtëpia.Pas shumë presioneve të ish-bashkëshortit, ky i fundit mori vajzën. Më vonë Renato humbi jetën në aksident, por mamaja nuk mundet të marrë vajzën, se ajo jeton me gjyshërit nga i ati.Naim Hoxha, babai i Lisianës dhe Erisleda Hoxha, motra e saj, tregojnë kalvarin nëpër prokurori e gjykata, me qëllim, bashkimin e nënës me të bijën.

Rama e Kumbaro sjellin himnin kombëtar në version remiks.

Pak ditë më parë kryeministri Rama e pas tij edhe ministrja e kulturës Mirela Kumbaro na përshëndetën nga profilet e tyre në facebook me himnin e flamurit, por në version të përpunuar. Kjo ndodhi, pasi Komisioni Europian dha rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Nëse në qershor Këshilli Europian nuk e miraton këtë rekomandim, Rama mund të shfaqet sërish me dajre në dorë duke kënduar: Ra Faja prej fiku”…?!

Pamjet makabre: A nuk i vrasin dhe qentë kështu?!…

Emisioni “Stop” sjell sot pamje ekskluzive e makabre të mënyrës sesi janë vrarë qentë dhe më pas janë hedhur në landfillin e Sharrës nga Bashkia e Tiranës në muajin Prill të vitit 2017 dhe të vitit 2018.

Aktivisti – xxx, e mo..!

Roja i Sharrës – Hëëë, ç’bone?

Aktivisti – Si je ti? Si kalove?

Roja i Sharrës – Mirë!

Aktivisti – Eee, shumë erë e keqe mbaka këtu, o burrë! Ça janë gjithë këto qen?!

Roja i Sharrës – Këto të bashkisë.

Aktivisti – Mbaka erë e keqe shumë, o burrë!

Roja i Sharrës – Ka një javë, dy…

Aktivisti – Ëëë…

Roja i Sharrës – Ka një javë a dy që i kanë hedhur qentë.

Aktivisti – Çfarë flet oo?! Po paska sjellë shumë. Ça bëhet?!

Roja i Sharrës – Pooo, tani s’ka sjellë më… këto nja dy ditë.

Aktivisti – Ça thu ti, mo vëlla?! Sa ditë u bënë që s’kanë sjellë më?

Roja i Sharrës – Këto kamionçinat që janë portokalli.

Aktivisti – Ëëëëë i bien këto kamionçinaaat?

Roja i Sharrës – Pooo!

Aktivisti – Ëëëëëëëëë, mbaka shumë erë e keqe mo burrë! Seç dreqin i vrasin këto qentë, pash Zotin!

Roja i Sharrës – Janë kalbësira mo! I vrasin andej rrugëve.

Aktivisti – Ëëëë…

Roja i Sharrës – I vrasin nëpër qytet rrugëve, mo burrë.

Aktivisti – Po pse i lini t’i hedhin këtu në Sharrë mo burrë?

Roja i Sharrës – Po s’i kemi parë.

Aktivisti – S’i kemi parë. A janë të bashkisë ato?! Ato nga bashkia vijnë.

Roja i Sharrës – Janë me autorizim bashkie, ça me i bo ne?!

Aktivisti – Janë me autorizim bashkie? Po gjynaf, mo vëlla! A nuk janë gjynaf gjithë këto qen?!

Roja i Sharrës – Gjynaf janë, po ato i kanë pastru andej rrugëve, kanë autorizimin dhe shkarkojnë.

Aktivisti – Ëëëëëë…

Roja i Sharrës – Po!

Aktivisti – Pooo, kur vjen ajo makina tjetër?

Roja i Sharrës – Vallahi unë njëherë në tre net vij se jam me turne.

Aktivisti – A, je me turne ti?!

Roja i Sharrës – Poo.

Aktivisti – Ëëë….shiko o xxx, do më bësh një nder mua?

Roja i Sharrës – Ëëë…

Aktivisti – Do më bësh një nder vëllait tënd?

Roja i Sharrës – Çfar nderi?

Aktivisti – Po qe se vjen ajo makina portokalli ose jeshile, ma bëj një zile mo vëlla s’të le pa gjë. Do ta jap një kafe vëllai ty.

Roja i Sharrës – Po mooo!

Aktivisti – Ëëë.

Roja i Sharrës – Po mo! S’bëhet llaf!

Aktivisti – Mirë, mirë!

Ambientalisti dhe aktivisti i mbrojtjes së natyrës dhe të drejtave të kafshëve, Sazan Guri tregoi se të njëjtin qen që ka fotografuar në mëngjes në rrugët e Tiranës e ka parë më pas në qese të zeza, gati për t’u hedhur në landfillin e Sharrës. Ai rrëfen se e ndoqi të gjithë situatën, që prej qendrës së trajtimit në Kombinat, që sipas tij, në fakt është “Auschwitz”.

Por emisioni “Stop” ka realizuar edhe një vëzhgim në rrugët e Tiranës për qentë dhe rrezikun që i kanoset qytetarëve prej tyre. Këta të fundit shprehen se janë të pasigurtë nga qarkullimi i qenve pa maska mbrojtëse.

“Ndjehem i rrezikuar sepse mirë që vaksinimin dhe sterilizimin e kanë bërë ata, por është puna që ai nuk të mbron nga kafshimi”, u shpreh një qytetar i moshuar.

Ndërsa një tjetër ngriti shqetësimin për qytetarët që kanë qen shtëpiakë dhe i nxjerrin nëpër rrugë për të kryer nevojat e tyre personale.

“Unë pres tani sa të mbarojë nevojat qeni e pastaj… T’i bëjë në shtëpi, jo ta nxjerrë në qytet!”, tha ajo.

Sazan Guri tregoi se ka kryer kallëzim penal ndaj Klinikës Veterinare të Bashkisë, në Kombinat dhe se është gati për t’u ballafaquar me Bashkinë e Tiranës lidhur me këtë fenomen.

“Një komb i zhvilluar matet sesi ai sillet me kafshët e natyrën në përgjithësi, por me qentë në veçanti sepse qeni në tokë dhe delfini në det janë dy kafshët më besnike, më të afta, më të dashura, aspak xheloze”, e përmbylli ambientalisti.

Të Fundit