STOP – EMISIONI 150 (SEZONI 2) – Stop
STOP

STOP – EMISIONI 150 (SEZONI 2)

Modelë në punë të zezë në Liceun Artistik?!...
Sefer Aga dhe Reshat Myslimi kanë punuar si modelë në liceun artistik “Jordan Misja”. Për vitin shkollor 2015-2016, të dy modelët pretendojnë, se nuk janë paguar. Drejtoresha e shkollës, Valbona Gavelli premton zgjidhjen e problemit, por thotë, se është drejtoria arsimore, që duhet të bëjë shlyerjen e djemve.Shefi i financës në DAR, Kalosh Ferrati, i pyetur për këtë pretendim, arsyeton, se puna e Seferit dhe Reshatit ka qenë në të zezë, sa kohë, që me ta, nuk është lidhur një kontratë.

Saga për dekretin e nënshtetësisë shqiptare.
Arjan Dollani, banues në Gramsh, tregon në “Stop”, se në vitin 2010 është njohur me një vajzë me shtetësi maqedonase, me të cilën vendosën të jetonin bashkë. Arjanit i lind nevoja të kërkojë nënshtetësinë për partneren e tij. Herën e parë, që bëri dokumentat, ia kthyen, pasi duhet t’i bënte me dy mbiemra.Ndërsa pas korrigjimit, ministria e brendshme ia nisi presidencës për dekretim, ngaku mori përgjigjen, se kishin kaluar të gjithë afatet.

Kronikë më e zgjeruar:

Çdo shtetas i huaj që dëshiron të marrë nënshtetësi shqiptare duhet të plotësojë një sërë dokumentesh dhe t’i dorëzojë ato në Komisariatin më të afërt të Policisë në qytetin ku banon. Brenda një muaji pas afatit ligjor, këto dokumente përcillen drejt Ministrisë së Brendshme dhe është kjo e fundit që brenda 6 muajve duhet t’i dërgojë këto dokumente për dekret tek Presidenti i Republikës.    

Kjo është procedura ligjore për këdo që dëshiron të bëhet shtetas shqiptar. Megjithatë në rastin e bashkëshortes së Arjan Dollanit, ky nuk rezulton një mision i lehtë.
 
Dollani, banues në Gramsh, tregon në “STOP”, se në vitin 2010 u njoh me një vajzë me shtetësi maqedonase, me të cilën vendosën të jetonin bashkë. Pasi u martuan atij i lind nevoja që të kërkojë nënshtetësinë për partneren e tij. Herën e parë që bëri dokumentet ia kthyen, pasi duhet t’i bënte me dy mbiemra. Pas korrigjimit, Ministria e Brendshme ia nisi Presidencës për dekretim, nga ku mori përgjigjen se kishin kaluar të gjithë afatet.

“Në 2010 –ën jam njohur me një vajzë shqiptare nga Maqedonia. Sot kemi kurorë. Gjatë këtyre viteve e kam mbajtur me leje qëndrimi, siç e ka ligji, që çdo shtetas i huaj duhet të ketë leje qëndrimi dhe gjatë këtij viti më lindi e drejta që të aplikoja për nënshtetësi shqiptare. Tani me fillimin e këtyre letrave kam hasur një pengesë shumë të madhe, të cilën edhe sot e kësaj dite nuk po e kuptoj ku është pengesa. Këto letrat unë i kam filluar në Shkurt të 2016 –ës dhe rifillimin e këtyre dokumenteve, pasi i kam përfunduar, më ka ardhur një shkerë zyrtare nga Ministria e Rendit, ku më cilësohet rikthimi i këtyre dokumenteve sepse duheshin me dy mbiemra. I fillova sërish dokumentet, që t’i merrja me dy mbiemra. Pasi i plotësova i dorëzova në Komisariatin e Elbasanit. Pasi i panë aty më thanë tani janë të gjitha në rregull, mund t’i nisim për në Ministrinë e Rendin. Para disa ditësh më kontaktoi një polic nga rrethi i Gramshit dhe më tha se ka ardhur një letër nga Presidenti. Një dokument për kthimin e dokumenteve mbprasht, të cilin e kam lexuar dhe më thonë se ka kaluar afati i dokumenteve që unë kam paraqitur në Komisariatin e Policisë së Elbasanit. Dua të di ku është kjo pengesë, përse jam penguar për këto letra? E dyta, e kjo është akoma më kryesore, sepse unë i bëra për herë të dytë këto letra e do i bëj sërish për herë të tretë, po unë kam frikë si qytetar se do të ndodhë e njëjta gjë. Dua të di ku flejnë? Diku flejnë këto letra që u kalon afati, sepse nuk e di, nuk ka mundësi tjetër.”

Për t’u interesuar më shumë mbi këto vonesa, gazetarja e “STOP” u interesua në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit për të zbuluar se kur janë nisur dhe kur i kanë kaluar Ministrisë së Brendshme këto dokumente.

Zëdhënësja e Policisë sqaron se letrat janë dorëzuar më datë 1 Mars 2016 –të. Ato janë dorëzuar në Ministrinë e Brendshme më 15 Mars të 2016 –ës. Nga Ministria e Brendshme është kthyer përgjigje më 19 Prill të 2016 –ës, që janë marrë në dorëzim, për plotësim dokumentacioni.

Pas kësaj është komunikuar me qytetarin për riplotësim të dokumenteve. Më 23 Maj të 2016 –ës janë ridërguar dokumentet nga ana e Policisë së Elbasanit, në Ministrinë e Brendshme. Pas kësaj është njoftuar qytetari se dokumentet i kanë kaluar Presidencës. Ministria e Brendshme, më 30 Nëntor të 2016 –ës ka sjellë një tjetër shkresë ku thuhet: Të njoftohet qytetari sepse dokumentet i kaluan Presidencës. Më pas, nga Ministria e Brendshme, më 24 Shkurt 2017, dokumentet e kësaj shtetasje kthehen nga Presidenca për tejkalim afatesh.

Por çfarë nënkuptohet me tejkalim afatesh? Sa kohë që ju i keni dërguar në kohë, Ministria i ka dërguar brenda afateve, i ka dërguar në Presidencë. Presidenti përse duhet ta kthejë për tejkalim afatesh, çfarë nënkupton kjo? 

Për këtë, gazetarja e “STOP” u interesua në Ministrinë e Brendshme, ku përgjegjësja ligjore pranë kësaj Ministrie, Lira Kolasi sqaron:

Institucioni i Ministrisë ka përcjellë dosjen tek Presidenti i Republikës. Është kthyer një përgjigje nga Presidenti për mospranim të kësaj kërkese dhe mbështetur në nenin 20 të ligjit, Presidenti brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës të Ministrisë, nxjerr dekretin përkatës, ose në rast se kërkesa nuk është e plotë, materiali rikthehet për t’u plotësuar nga Ministria e Rendit Publik, brenda një muaji nga dita e paraqitjes. Deri këtu, Presidenti nuk ka pasur asnjë shkak ligjor për t’a kthyer kërkesën sëbashku me praktikën në MPB, sepse i gjithë materiali është i plotë .”

Përse është kthyer? Sepse në shkresën që disponoj unë thuhet se dokumentet janë jashtë afateve të përcaktuara në ligj, çfarë nënkuptojmë ne me këtë?

“Përderisa në kthimin e përgjigjes nga Presidenti nuk ka një bazë ligjore, ku edhe ne të shikojmë se çfarë afatesh kemi shkelur, ateherë presupozohet që dosja dhe kërkesa është e plotë.”

Kur ia keni dorëzuar kërkesën Presidentit?

“Më datë 30 Nëntor të 2016 –të. Presidenti mund ta kthejë kërkesën vetëm në rast se i mungon një nga dokumentet”.

Në thonjëza, fajtor në këtë rast kush është? 

Nuk mund të vë gishtin, Ministria e Brendshme e ka kryer me rigorozitet të gjithë procedurën. Të vihet në lëvizje tani nga qytetari, ka formë ligjore për të vënë të drejtën e tij në vend.”

Në fund, drejtuesit e “STOP” i bënë thirrje të dyja institucioneve përkatëse, si Ministrisë së Brendshme ashtu edhe Presidentit të Republikës, që t’i japin një zgjidhje këtij ngërçi, në mënyrë që qytetari të marrë zgjidhje për problemin e tij.

Studentët e masterit në Shkencat e Natyrës pa diplomë.
Studentët e Fakultetit të shkencave të Natyrës, që kanë përfunduar masterin profesional në Biologji dhe Teknologji Informacioni dhe Komunikim, nuk janë pajisur me kartonin e diplomës. Disa prej tyre ankohen në “Stop”, se mungesa e kartonit, i ka penalizuar nga ushtrimi i profesionit.Kancelari i UT, Robert Skënderi shpjegon, se kjo vonesë, nuk vjen si pasojë e mungesës së kartonave, por numrit të regjistrimit, që identifikon emërtimin e degës.Ndërsa Clirim Duro drejtor për Kurrikulën në UT, tregon, se gjithcka ka ardhur si pasojë e mosdialogimit mes UT dhe MAS.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *