Spanja, shteti i parë në Evropë me mbi 1 milionë raste me COVID-19

Spanja u bë shteti i parë në Evropë që kalon numrin e 1 milionë të infektuarve nga koronavirusi ndërkohë që shumë shtete të tjera të unionit po hasin vështirësi për ta përmbajtur përhapjen.

Autoritetet spanjolle raportuan rreth 17 mijë raste ditore duke e çuar totalin në 1,005,295 rasteve, nga të cilat 34,366 kanë përfunduar me vdekje – vdekshmëria sa 3.4 për qind e rasteve.

Ekspertët e shëndetësisë thonë se, njësoj si në vende të tjera, numri i të infektuarve dhe të atyre që kanë humbur jetën, ka gjasa të jetë edhe më i lartë. Kjo sepse jo të gjithë janë testuar, ndërsa rastet asimptomatike dhe vdekjet jo-spitalore kanë qenë të vështira për t’u pikasur dhe përllogaritur.

Për të shmangur një mbyllje totale si ajo e pranverës, autoritetet po ashpërsojnë masat në mënyrë lokale, në zonat ku shfaqen prirjet më të larta infeksioni.

Një gjë e tillë ka ndodhur në Aragon, që ka kufizuar lëvizjet drejt Zaragozës, Huescas dhe Teruelit. Navarra, që ka prirjen më të keqe me të infektuar dy javët e fundit, po planifikon mbylljen totale të enjten.

Vlen të thuhet se numri i rasteve të përgjithshme nuk tregon gjendjen aktuale dhe për këtë autoritetet në Spanjë i referohen numrit të rasteve për 100 mijë banorë në periudha dy-javoresh.

Kështu në 14 ditët e fundit rastet në Spanjë kanë ardhur me një prirje në rënie me rreth 332 raste për 100 mijë banorë, një shifër sidoqoftë shqetësuese, por disi më e ulët se ajo në Çeki, Belgjikë, Holandë, Francë dhe Britani e Madhe.

Mirëpo rastet e shumta që kërkojnë hospitalizim janë shqetësimi kryesor. Mbi 3,900 persona patën nevojë të shtroheshin në spital vetëm javën e shkuar me 274 që kërkuan terapi intensive. Autoritetet thonë se vetëm në Madrid rreth 40 për qind e kapaciteteve spitalore janë zënë nga pacientë me COVID-19.

Franca duket në të njëjtën situatë me Spanjën. Sipas Universitetit John Hopkins edhe ajo është në raportin e rreth 1 milionë rasteve. Rusia ka raportuar mbi 1.4 milionë, por në rang botëror Shtetet e Bashkuara mbeten me më shumë të infektuar me mbi 8 milionë raste.

Në gjithë botën numri i të infektuarve ka kaluar 41 milionë rastet, prej së cilave 1.1 milionë kanë vdekur.

Edhe Italia ka raportuar për rritje të të infektuarve me më shumë se 10,000 pacientë në ditë, dhe Lombardia,  është një nga rajonet më të prekura. Dhe qe sot, rajoni i Lombardisë do të hyjë në shtetrrethim. Kufizimi do të nisë nga ora 23 deri në 5 të mëngjesit dhe do të lejohen vetëm lëvizjet për raste emergjente.

Të Fundit