“S’ka vaksina për të varfrit”, OBSH: 82% e vaksinave të administruara në vendet e pasura

Më shumë se 1 miliard vaksina anti-COVID janë administruar deri më sot në nivel global. Por 82% e atyre që janë vaksinuar i përkasin vendeve me të ardhura të larta e të mesme dhe vetëm 0.3% vendeve me të ardhura të ulëta.

Kështu deklaroi kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në një konferencë të mbajtur online.

“Kriza e COVID-19 ka ekspozuar nevojën urgjente për sisteme shëndetësore më fleksibël, që të sigurojnë në mënyrë të pandërprerë, të përballueshme e të barabartë akses tek barnat dhe teknologjia mjekësore”, u shpreh drejtor i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Më pak se 6% e brazilianëve janë vaksinuar plotësisht, tregojnë të dhënat. Brazili është bërë vendi i parë në botë që ka kaluar kuotën e 400 mijë vdekjeve, pavarësisht sinjaleve të fundit për një frenim të epidemisë.

Në vetëm një muaj, 100 mijë jetë janë humbur në vendin latin, ku druhet se mund të lindë një valë e re.

“Mendoj se nëse të gjithë bëjmë pjesën tonë, atëherë të gjithë do të dalim nga kjo pandemi, e cila duhet të jetë një mësim për të ardhmen, që të jemi më të kujdesshëm”, tha Douglas Abelo, menaxher rrjetesh sociale.

Ndërkohë, në Peru, një variant i konstatuar për herë të parë në Brazil është regjistruar në 8 rajone të vendit.

Sipas zyrtarëve, ai përbën rreth 40% të rasteve të reja. Me 1.7 milionë raste, autoriteteve shëndetësore u është bërë thirrje të përshpejtojnë procesin e vaksinimit.

Ndërsa në Kubë, një vend me popullsi prej 11 milionë banorë, infeksionet u rritën me thuajse 6 mijë raste javën e kaluar.

Megjithatë, vendasit kanë krijuar vaksinat e tyre në vend që të bazohen tek nisma ndërkombëtare COVAX.

Të Fundit