Shtyhet seanca për Saimir Tahirin, dy prokurorët me Covid-19

Shtyhet sërish gjyqi ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në Gjykatën e Posaçme.

Shkak është bërë mungesa e prokurorëve të SPAK, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, të cilët janë të infektuar me COVID.

Sipas burimeve nga SPAK të prekur nga koronavirusi gjatë ditëve të fundit kanë rezultuar edhe disa prokurorë të tjerë duke u bërë shkak për shtyrjen e shume seancave gjyqësore.

Më 20 shtator 2019, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” duke e dënuar atë me 5 vite heqje lirie, dënim i pezulluar nga gjykata për t’u konvertuar në 3 vite shërbim prove.

Ish-ministri gjithashtu u akuzua për “trafikim të lëndëve narkotike” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, por ato u rrëzuan nga gjykata.

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ish-ministri Tahiri kërkon të shpallet i pafajshëm kurse Prokuroria pretendon dënim për trafik droge.

Të Fundit