Shtrëngim masash në prag të festave? Ministrja e Shëndetësisë: Situata po ndiqet…

Në kohën kur shumë vende të Europës kanë shtrënguar masat anti-Covid pasi festat e fundvidit po afrohen dhe varianti i ri “Omicron” mund të ndikojë në përhapjen e Covid-19, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e pyetur nëse këto masa do të merren në vendin tonë është shprehur se se situata po ndiqet në mënyrë dinamike.

Ajo theksoi se ky është një vendim që do duhet të merret tnga Komiteti i Ekspertëve, teksa shtoi se duhet patur kujdes duke rivlerësuar masat që janë në fuqi.

“Dua të them që vendimet merren nga Komiteti i Ekspertëve. Situata po ndiqet në mënyrë dinamike. Duhet të jemi të kujdesshëm për masat duke rivlerësuar masat që kemi”, tha ministrja.

Edhe një herë, Manastirliu theksoi se e vetmja armë kundër COVID është vaksina, duke bërë sërish thirrje për vaksinim.

“Esenciale është vaksinimi si armë që kemi kundër virusit apo edhe varianteve që qarkullojnë siç është edhe Omircon. Priten informacione nga institucionet ndërkombëtare për të parë sa i rrezikshëm është ai. Vaksina është arma që ne kemi. Jemi sot këtu edhe për të vijuar fushatën e vaksinimit duke synuar që vaksinimi të shtrihet sa më shumë te të rinjtë. Shqipëria ka një mbulesë vaksinale që po rritet dita ditës. Është situatë e qëndrueshme e vaksinimit në Shqipëri. Ne nuk do të ndalemi derisa çdo qytetar të jetë i mbrojtur përmes vaksinimit. Fushata e vaksinimit ka disa nivele të operimit. Jemi në një nivel të ri. Prej disa muajsh jemi derë më derë për qytetarët që nuk kanë mundur të shkojnë për t’u vaksinuar. Shëndeti qëndron në majë. Qeveria shqiptare ka siguruar dozat e vaksinave për popullatën dhe ne po ecim me hapa të qëndrueshëm”, tha ajo.

Manastirliu i bëri këto deklarata gjatë një vizite në qendrën e vaksinimit në Kukës.

Të Fundit