Shtohen aksidentet rrugore në Shqipëri, 13.4% më shumë se në vitin 2020

15 nëntori është Dita Botërore e kujtimit të viktimave të trafikut rrugor. Përgjatë vitit 2021 në Shqipëri kanë ndodhur 13.4% më shumë aksidente se në periudhën e njejtë të vitit 2020.

Më 25 qershor, një familje me 4 anëtarë humbi jetën në autostradën Fier – Vlorë. Më 26 gusht, një furgon ra në greminë pasi një makinë i preu rrugën dhe 5 persona humbën jetën.

Aksidente me fatalitet janë shënuar edhe gjatë këtij muaji.

Më 11 nëntor si pasojë alkoolit, shpejtësisë dhe kalimit në semafor të kuq, 2 aksidente ndodhën brenda pak orësh në rrugën e Kavajës në Tiranë – një me dy viktima dhe një tjetër me plagosjen e një tjetri.

Qytetarët thonë se kanë frikë të kalojnë rrugën, të shqetësuar nga aksidentet.

“Nuk merret vesh se çfarë bëjnë. As nuk respektojnë vizat e bardha – as këmbësorët as shoferët”, thotë një qytetar.

“Çdo gjë është jashtë kontrollit”, tha një qytetar tjetër.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se deri në shtator të vitit 2021 kanë ndodhur 13.4 % më shumë aksidente rrugore se gjatë të njëjtës periudhë kohore të vitit 2020.

1,024 aksidente me 151 të vdekur, kryesisht meshkuj, janë shënuar gjatë 9 muajve të 2021.

Statistikat tregojnë se janë drejtuesit e mjetit ata që shkaktojnë kryesisht aksidentet.

Euronews Albania pyeti dy deputetë të Kuvendit se a duhet ashpërsuar kodi rrugor dhe të trajtohet aksidenti me pasojë vdekjen si një vrasje.

“Nuk besoj se kjo do të çonte në uljen (e aksidenteve). Kemi pasur shumë viktima për shkak të cilësisë së ulët të rrugëve. Kush mban përgjegjësi për këtë? Ndërgjegjësimi- ku e kemi ndërgjegjësimin? Ku është shteti për të ndërgjegjësuar qytetarët?”, u shpreh Albana Vokshi, deputete e Partisë Demokratike.

“Kuadri ligjor është i plotë, madje është shumë bashkëkohor por duhet zbatuar në mënyrë rigoroze dhe të patolerusheme”, tha Xhemal Qefalia, deputet i Partisë Socialiste.

Tirana dhe Lezha janë qarqet ku kanë ndodhur më së shumti aksidente rrugore, të shkaktuara kryesisht nga shoferë të moshave 25- 34 vjeç./Euronews Albania

Të Fundit