“Shqiptarët, njerëz të mrekullueshëm”, turistët serbë të mahnitur nga bukuritë natyrore të Sarandës

Qindra të huaj nga vende të ndryshe të botës kanë zgjedhur të nisin pushimet në Shqipëri. Duke shfrytëzuar edhe javën e Pashkëve, një grup personash nga Serbia kanë mbetur të mahnitur nga bukuritë shqiptare.

“Është një surprizë të zbulosh këtë vend. Ushqimi është shumë i shijshëm. Shqiptarët janë njerëz të mrekullueshëm dhe bukuria e këtij vendi është e paparë. Unë jam nga Novisad”, u shpreh Bojana Kukul, vizitore nga Novisad.

Operatorët turistikë nga Serbia tregojnë se këto janë vetëm grupet e para, por shumë shpejt do të kemi shtim të tyre pasi në Serbi, Shqipëria si treg turistik është një produkt mjaft i pëlqyer nga ata që udhëtojnë më shpesh.

Ne jemi shumë të kënaqur që jemi përsëri këtu në Sarandë Butrint dhe Ksamil. Tani ne kemi festën e Pashkëve dhe sollëm dy autobusë me turistë për të shijuar bukuritë e këtij vendi dhe festuar bashkë me ju. Jugu i Shqipërisë do të jetë me i pëlqyeri për ne. Besojeni ose jo ne po shesim shumë më shumë nga çfarë kishim parashikuar sepse ka opinion shumë të mirë për vendin tuaj dhe njerëzit kur vinë këtu janë shumë të surprizuar nga bukuritë por edhe nga çmimet e lira”, tha Dragan Guliç.

Veç vizitorëve nga Serbia, rritje kanë edhe ata nga Rumania.

“Jemi të impresionuar pasi pamë Butrintin dhe në përgjithësi gjithë  Shqipërinë. Njerëzit nuk dinë shumë për Shqipërinë por çdo rumun që vjen këtu sjell patjetër turistë të rinj”, tha Livju Medelcu nga Rumania.

Agjencitë turistike shqiptare e shikojnë këtë sezon si të mbështetur tek pushuesit nga Ballkani.

Sipas tyre Serbia, Kosova dhe Rumania do të sjellin grupet më të mëdha të vizitorëve në Shqipëri.

Ne tani ndodhemi në parkun Arkeologjik të Butrintit dhe sapo kanë filluar grupet e para. Tani po shoqërojmë një grup nga Rumania. Po vijnë dhe grupet nga Serbia, gjithashtu edhe nga Spanja. Pavarësisht se pandemia akoma po bën të vetën, urojmë të fillojë çlirimi pak nga pak”, tregoi Jimmy Lama, drejtues i agjencisë turistike.

Ardhja e vizitorëve nga vendet e Ballkanit është një risi për Shqipërinë. Sezoni 2021 parashikohet të ketë një ‘boom’ vizitorësh, ku ata nga Serbia do të dominojë më së shumti.

Të Fundit