Shpopullimi,Meta: Zbrazja e vendit rrezikon të kthehet fatkeqësi kombëtare

Presidenti Ilir Meta mëngjesin e sotëm përmes një statusi në rrjetet sociale ka sjellë në vëmendje largimin e shqiptarëve.

Kreu i shtetit shkruan se ndalimi i shpopullimit të Shqipërisë është sfida më e madhe, që kërkon reflektim urgjent dhe zgjidhje konkrete. Më tej, teksa citon studimin e ekspertëve të Vjenës, Meta thotë se me këto ritme dramatike zbrazja e Shqipërisë rrezikon të kthehet në një fatkeqësi kombëtare.

“Ndalimi i shpopullimit të Shqipërisë, dramës më të madhe që i ka ndodhur vendit dekadën e fundit, është sfida më e madhe, që kërkon reflektim urgjent dhe zgjidhje konkrete.

Sipas Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës, nga viti 2010 deri në vitin 2019 janë larguar nga Shqipëria rreth 500 mijë qytetarë, disa herë më shumë në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Me këto ritme dramatike zbrazja e Shqipërisë rrezikon të kthehet në një fatkeqësi kombëtare.

Adresimi i menjëhershëm i këtij fenomeni është emergjencë dhe çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike”, shkruan Meta.

Të Fundit