Shpallet në kërkim drejtori i AKU në Shkodër (EMRI)

Një 55-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Shkodrës pasi ushtronte aktivitet tregtar, pulari, të paregjistruar në organet tatimore.

Gjithashtu, u evidentua se 55-vjeçari prodhonte dhe shiste vezë të pakontrolluara nën emërtimet e markave të tjera. Si rrjedhojë policia ka arrestuar 55-vjeçarin Viktor Gjini, ndërsa ka shpallur në kërkim Drejtorin e AKU në Shkodër, Gjekë Sokoli dhe një Inspektor të Mjedisit po në Shkodër. Këta të fundit akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk kanë evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit, si dhe e kanë favorizuar atë duke mos ushtruar kontrolle në pulari.

Njoftimi i policisë

Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër, në vijim të kontrolleve në disa subjekte tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Illegality”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

-V. Gj. 55 vjeç, banues në fshatin Bërdicë, Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Bërdicë e Sipërme”, është konstatuar aktiviteti tregtar (pulari), në pronësi të këtij shtetasi, i paregjistruar në organet tatimore. Gjithashtu, u evidentua se 55-vjeçari prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara.

Në vijim, u referuan materialet, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Gjekë Sokoli 55 vjeç , banues në Shkodër, me detyrë Drejtor i AKU, Shkodër, si dhe u referuan materialet për shtetasin A. B. 55 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën, nuk kanë evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit, si dhe e kanë favorizuar atë duke mos ushtruar kontrolle në aktivitetin në pronësi të shtetasit V. Gj.

Të Fundit